Dy të rinj, të moshave 25 dhe 20 vjeç janë arrestuar nga policia pasi gjatë kontrollit në dy banesat e marra me qira janë zbuluar arsenale armatimi.
Blutë bëjnë me dije se i riu Kristjan Gjini, 25 vjeç kishte marrë me qira dy banesa në njërën prej të cilave jetonte 20-vjeçarja Franceska Kolgjegja.
Gjatë kontrollit janë gjetur 7 armë zjarri, 4 silenciatorë, municion luftarak, krehra, lëndë e dyshuar narkotike, 2 radio si ato të Policisë, dorashka, 7 maska, një thikë, dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe targa të huaja.
Dyshimet janë se në këtë skemë ata kanë pasur bashkëpunëtorë të tjerë dhe tashmë po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Njoftimi i policisë
Operacioni, i zhvilluar nga Sektori kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Sekuestrohen 7 armë zjarri, 4 silenciatorë, municion luftarak, krehra, lëndë e dyshuar narkotike, 2 radio si ato të Policisë, dorashka, 7 maska, një thikë, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjete. Vihen në pranga 2 shtetasit që mbanin armët dhe sendet e tjera të paligjshme, në ambientet e banesave të tyre.
Specialistët e Sektorit kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘Ruger”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– K. Gj., 25 vjeç dhe F. K., 22 vjeçe, aktualisht banues me qira, në Tiranë.
Shërbimet e Policisë, në bulevardin “Gjergj Fishta”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin K. Gj., të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në 2 banesa të ndryshme, të marra me qira nga ky shtetas (në njërën prej të cilave jetonte shtetasja F. K.), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 armë zjarri pistoleta, 2 armë zjarri automatike, 4 silenciatorë, 7 maska, 2 radio si ato të Policisë, një thikë, sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, fishekë të kalibrave të ndryshëm, dorashka, krehra, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjetet që përdornin shtetasit e arrestuar.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.





