I ftuar në emisioni “Radari Informativ”, avokati i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, ka mohuar që të ketë një konflikt mes tij dhe drejtorit të burgut, pas kërkesës për transferim në burgun e Lushnjës.

Haxhia tha se kërkesa e Tahirit është bërë sepse në Fier ka shumë të dënuar për vepra të tjera dhe gjithashtu do ta ketë më të lehtë të takojë familjarët.

“Unë vete s’po them 2 herë në jave, po një herë në 2 javë dhe kam shumë kontakt me Saimir Tahirin që është zbatues i ligjit shumë rigoroz. Nuk di që ka konflikt me drejtorin, por ka kërkuar vetë që të shkojë në Lushnjë sepse atje ka shumë të dënuar të tjerë për vepra penale të ndryshme e për shkak të aksesit të lehtë për t’u takuar me familjen. Nuk më është ankuar për rregulla të forta, ka qenë i disiplinuar dhe shumë zbatues për rregullat e burgut”, tha Haxhia.

Ai shtoi gjithashtu se do ta takojë ish-ministrin të hënën, por nuk beson të ketë pasur konflikt mes tij dhe drejtorit të burgut.

“Për konflikt nuk e di, e kam lënë që të  shkoj të hënën, po nuk besoj të ketë”, tha ai.