Një 32-vjeçar shqiptar është vrarë në Artena të Italisë dy ditë më parë, por së fundmi është identifikuar.

Mediet italiane raportojnë se viktima është Fation Bylyshi, i cili është therur me thikë.

32-vjeçari u gjet i vdekur mbrëmjen e së dielës, por identifikimi i tij ishte i pamundur për shkak se nuk dispononte dokument identifikimi.

Nga hetimet paraprake të policisë italiane, Fation Bylyshi i cili ishte banues në atë zonë, kishte tentuar t’u shpëtonte vrasësve. Ai ishte goditur me thikë në qafë në një vilë pas një konflikti me dy persona të tjerë.

Fation Bylyshi arriti të largohej, por për shkak të plagës së rëndë në qafë, u rrëzua përtokë. 32-vjeçari kishte përshkuar vetëm disa metra. Por nuk përjashtohet as pista që viktima të jetë hedhur aty nga vrasësit. Trupi i pajetë u gjet nga një banor i lagjes kur pa se jashtë portës së shtëpisë së tij gjendej i shtrirë në tokë një person.

Aktualisht policia italiane ka arrestuar dy persona si të dyshuar për vrasjen e Fation Bylyshit. Ata janë shtetas rumunë, 27 dhe 30 vjeç, të dy banues në Artena. Vrasja ndodhi pas një mosmarrëveshje mes tyre, ndërsa motivi i vrasjes ende nuk dihet.