Nga ark. Indrit Hamiti

Në një proces dinamik të konsolidimit të identitetit shtetëror pas shkëputjes nga ajo që kishte mbetur nga Federate Jugosllave, kohët e fundit Mali i Zi po kalon  trazira të forta sociale e politike. Tentativa e vitit 2016 e një grupi kriminal për t’i bërë atentat Gjukanovicit, përplasjet e Kishës Serbe me atë Malazeze lidhur me legjitimitetin e secilës në territor dhe rrjedhimisht  mbi autoritetin e objekteve të kultit dhe pronat e kishës, familje të cilat pjesërisht ndjehen serbe dhe pjesërisht malazeze dhe më tej akoma, familje të tjera të cilat pjesërisht ndjehen shqiptare e pjesërisht boshnjake, janë këto disa nga shfaqet e asaj që po vlon në shtetin e vogël.

Në sfond të gjithë kësaj qëndron një duel historik: Mali i Zi do të jetë në sferën e influencës perëndimore si anëtar i NATOs tashmë dhe aspirant për BE, apo do jetë një zgjatim i influencës që Rusia ushtron në Ballkan nëpërmjet Serbisë dhe Republikës Srpska të Bosnjës. Kësaj panorame i shtohet dhe hyrja e Kinës në lojë me investimin e autostradës Bar-Bolje që lidh bregdetin me Serbinë, një financim që e ka rënduar shumë ekonominë e vendit dhe gjithashtu, vlen të përmendet influenca edhe pse periferike e Turqisë në zonat myslimane të verilindjes si një zgjatim i influencës në zonën e Sanxhakut.

Është kjo situatë që në një farë mënyre ka konfiguruar dhe dy blloqet kryesore politike në vend: Fronti Demokratik dhe Demokratët që përfaqësojnë kryesisht ata që kanë predominant identitetin serb  nga njëri krah, dhe Partia Socialdemokrate me partitë boshnjake e shqiptare si properëndimore nga krahu tjetër.

Me dt. 13 korrik, në ditën e shtetësisë së Malit të Zi, njohjes nga Kongresi i Berlinit në vitin 1878 dhe njëkohësisht ditën e nisjes së rezistencës antifashiste në 1943, u inaugurua seksioni i parë prej  41-km Smokovac-Matesevo  i autostradës Bar-Bolje. Ky projekt është financuar nga banka Export Import e Kinës në kuadrin e iniciativës ‘One belt one road’ që evokon konceptin e rrugës së vjetër të mëndafshit. Autostrada është investimi i parë i këtij lloji në vend, në një terren tejet të thyer dhe është aksi më i rëndësishëm  që lidh Malin e Zi me Serbinë duke lidhur njëkohësisht territore që nga pikëpamja e vetë-deklarimeve etnike janë  të banuara nga malazezë, shqiptarë, serbë e boshnjakë.

Ceremonia protokollare ishte e veshur me simbolikë të fortë shtetërore me performancë të Bandës së Shtetit dhe fjalimet e Presidentit (malazez) Milo Gjukanovic, Kryeministrit (shqiptar) Dritan Abazovic  dhe Zëvendëskryeministrit (boshnjak) Ervin Ibrahimovic. Në të gjithë fjalimet siç është e natyrshme në këto raste u vu në pah rëndësia e kësaj vepre për modernizimin e ekonomisë së Malit të Zi dhe njëkohësisht, u vlerësua kontributi i donatorit që në këtë rast është Kina. Por një detaj i vogël interesant, në dukje i parëndësishëm, ishte propozimi i kryeministrit  Abazovic për t’i vendosur këtij loti të autostradës emrin e princeshës Ksenia. 

Princesha Ksenia është  një personazh romantik i historisë së Mbretërisë të Malit të Zi që bart simbolikë në disa dimensione. Së pari, atë të emancipimit dhe modernizimit të Malit të zi të periudhës mbretërore gjë të cilën figurativisht z. Abazovic e shprehu duke rikujtuar që ajo ishte shoferja e parë në Ballkan. Së dyti, është trashëgimtare e dinastisë së Petrovicëve që janë themelues të Malit të Zi si njësi territoriale administrative, fetare e më pas politike. Kujtoj këtu që  Petar Njegosh, stërgjyshi i saj, është hero kombëtar dhe lider shpirtëror i Malit të Zi, njeriu që drejtoi sistemin e fundit teokratik në Ballkan, por njëkohësisht edhe njeriu që ishte gati të hiqte dorë nga titulli princëror duke ja kaluar atë Obrenoviqëve, për bashkimin me Serbinë, duke mbajtur titullin fetar atë të Patriarkut të një kishe të bashkuar. 

Së treti, atë të patriotizmit, shumë e ndjeshme ndaj influencave të fuqive të huaja në Malin e Zi, njeriu që organizoi demonstrata kundër ndërhyrjeve të Austro Hungarisë duke e detyruar të atin, mbretin Nikolla, ta largonte përkohësisht në mërgim nga Mali i Zi për në Francë. Një moment interesant i jetës së Ksenias është refuzimi që ajo bëri  kur iu propozua të martohej me princin Aleksandër të Serbisë në funksion të forcimit të lidhjeve mes Obrenoviqëve dhe Petrovicëve.

Pra vendosja e emrit të Ksenias ndërthur objektivin për modernizimin dhe emancipimin e shtetit dhe shoqërisë, rëndësinë e lidhjeve me Serbinë që burojnë nga trashëgimia e përbashkët, interesat jetike të shtetit, por njëkohësisht dhe pavarësinë e plotë ndaj ndërhyrjeve në punët e brendshme.

Nëse Abazovic do të merrte shtysë nga ndjesitë e natyrshme që  i vinë gjithkujt që është mbrujtur me mitet e kombit të vet, sidomos nga pozitat e një minoriteti që është trajtuar si popullsi e dorës së dytë, dhe do kërkonte të legjitimonte propozimin, shumë mirë mund të kishte propozuar Mark Milanin, hero i Malit të Zi më i njohur për origjinën shqiptare ose Rexho Mulliqin kompozitorin e famshëm lindur në Guci e shumë të tjerë që mund të mishërojnë njëkohësisht origjinën shqiptare dhe shtetësinë malazeze.

Ai nuk bëri këtë sepse është i qartë që një qasje e tille do ta margjinalizonte në politikë dhe do ta rikthente në periferi si politikan me influencë lokale.  Ai i ofrohet skenës politike Malazeze si një politikan me vokacion mbi-nacional, shprehës i identitetit shtetëror dhe nëpërmjet tij, i paqes sociale në një terren delikat ku të gjitha palët kërkojnë koncesione, ai nuk nxjerr nga historia një emër luftëtari edhe pse dihet që shtetet janë konsoliduar mes luftërash, por njëkohësisht dihet se heronjtë e njërës palë janë armiqtë e palës tjetër. Edhe pse përmend në fjalën e tij nderimin për ata që dhanë jetën për krijimin e Malit të Zi, ai propozon një mit të ndryshëm që lidhet me emancipimin e shoqërisë me modernizimin dhe me orientimin properëndimor.

Për 36 vjet Josif Broz Tito arriti t’i mbajë nën kontroll në ish Jugosllavi tensionet nacionale, përfshi dhe ekuilibrat në Malin e Zi në një lojë të vështirë e sistem kompleks qeverisjeje. Instrumenti kryesor që përdori ishte kultivimi identitetit shtetëror Jugosllav si identitet mbi-nacional aq sa dhe kryeqyteti gjatë qeverisjes së tij u quajt ‘Titograd’ në vend të ‘Podgoricë’. Por dhe pse ai vetë ishte kroat dhe kroatët përbënin vetëm 20 % të popullsisë së federatës, ndërkohë që serbët ishin kombësia më e madhe, ai kishte një avantazh në gjithë këtë, që ishte sistemi autokratik një-partiak.

Abazovic dhe kolegët e tij, në këtë kontekst, nuk e kanë këtë komoditet, por me qasje të tilla ai jep mesazhin që përtej identiteteve etnike që po konturohen gjithnjë e më shumë në Mal të Zi edhe si rezultat i ndikimeve  të huaja, është shtetësia garanti i paqes dhe prosperitetit. Për këtë ai i ofrohet shtetasve të Malit të Zi dhe njëkohësisht faktorit ndërkombëtar si shtetar konvencional, por dhe ekuilibrant. Ai incentivon objektivat politike herë të njërës dhe herë të tjetrës palë duke u munduar të japë mesazhin e qarta se realiteti objektiv duhet respektuar dhe fryma e konfliktit nuk I sherben progresit.

Nga shumëkush shihet si kontrovers , nga të tjerë si vizionar e me sens të fortë orjentimi. Në fund ai është kryeministri shqiptar i Malit te Zi si rezultat i të berit politike ndryshe nga ç’është bërë deri tani.