Në fillim vodhi, pastaj u ndoq nga policia dhe në fund u aksidentua. Një kriminel shqiptar u arrestua falë autoriteteve italiane, teksa tentonte t’ia mbathte. Sipas mediave, bëhet fjalë për një 37-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Ai vodhi një shtëpi në Baia Domizia, në provincën e Caserta-s. I riu mori bizhuteri të shtrenjta dhe një makinë “BMW X5”, me të cilën u përpoq edhe të arratisej. Por ka qenë mjeti që kanë identifikuar së pari autoritetet dhe kanë filluar një ndjekje ndaj shqiptarit.

Si pasojë e ndjekjes, i riu në një moment të caktuar ka humbur kontrollin e makinës dhe është plagosur. Brenda mjetit, policët gjetën bizhuteritë që kishte vjedhur shqiptari. Ky i fundit u dërgua në spital ku po merr trajtimin e duhur mjekësor.