Astronomët dhe shkencëtarët nga mbarë bota kanë filluar të reagojnë ndaj imazheve të reja që publikoi NASA, të marra nëpërmjet teleskopit hapësinor James Webb.
Një shkencëtar deklaroi madje se kjo është “një epokë e re në eksplorimin e hapësirës”. Fotografitë paraqesin mrekullinë e universit, që nga yjet e sapolindur dhe deri tek galaksitë më të largëta.
Paraqitja e fryteve të punës së teleskopit hapësinor që kushtoi 10 miliardë dollarë, James Webb, filloi të hënën në Shtëpinë e Bardhë. Në fotografinë e parë dallohen një mori galaktikash, të gjendura në një thellësi të kozmosit ku njerëzimi nuk kishte arritur të hidhte vështrimin ndonjëherë më parë.





