Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 16 vatra zjarri. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, prej tyre vetëm 3 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 13 të tjerat janë shuar.
Vatrat aktive janë në Fshatin Ndërshen, bashkia Mirditë, në Fshatin Vinjollë, bashkia Kurbin dhe Fshatin Qukës Skëndërbej, bashkia Prrenjas.
Nga zjarri në zonën e Mirditës është shkrumbuar totalisht një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre, kryesisht lis dhe pisha. Në rrezik janë edhe banesa në zonë, por mjetet zjarrfikëse ndodhen pranë shtëpive.
Në aksionet për shuarjen e flakëve gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 436 efektivë zjarrfikës, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare, 29 mjete zjarrfikëse dhe një helikopter.
Helikopteri i Forcës Ajrore ka operuar në fshatin Ndërshen, Bashkia Mirditë.