Një ngjarje tragjike ka tronditur Himarën pasditen e sotme, 2 gusht 2022.
Një skaf ka goditur një fëmijë 7-vjeçar në plazhin e Potamit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 dhe për fat të keq e mitura ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Arjan Tase është identifikuar si drejtuesi i skafit që përplasi fëmijën 7-vjeçare dhe është ish-shef i komisariatit në Himarë, ndërsa tashmë mban detyrën e Komisarit në Elbasan.
Në dëshminë paraprake Tase ka deklaruar se ka pasur një problem teknik në skaf.
Në janar të 2021 u arrestua nga policia për shpërdorim detyre, pas një aksioni anti-kanabis “Hapësira”.
Së bashku me shefin e krimeve Artur Veshaj ata u akuzuan se lejuan kultivimin e kanabisit në zonën e Vlorës. Mirëpo, prokuroria nuk mundi të faktojë akuzat ndaj tyre. Ai u rikthye në detyrë dhe më pas është transferuar në Elbasan.
Lidhur me ngjarjen tragjike, Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore ka ngritur një grup të posaçëm hetimor.
“Pas marrjes dijeni të ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Potamit, ku shtetasi Arjan Tase, me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, ka goditur për vdekje një fëmijë 7 vjeç ndërsa drejtonte një mjet lundrues, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor për hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. Aktualisht, shtetasi Arjan Tase ndodhet i shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë” thuhet në njoftimin e AMP-së.





