Për të zbuluar vrasësin e Shefki Kurtit, hetuesit italianë duhet të gjejnë përgjigje për dy pyetje shumë të rëndësishme: Përse dhe ku u vra 71-vjeçari?

E rëndësishme gjithashtu është të zbulohet vendi ku u copëtua trupi i të moshuarit nga Durrësi, që prej më shumë se 30 vitesh jetonte në vendin fqinj.

Grupi i ekpertëve është rikthyer në shtëpinë e të moshuarit për të kërkuar ndonjë gjurmë, që mund t’i ndihmojë në zbardhjen e kësaj ngjarje makabre.

Hetuesit po kontrollojnë në shtëpinë e viktimës për gjurmë gjaku, sepse një vrasje e tillë shoqërohet gjithmonë me gjakderdhje të madhe.

Andaj është e pamundur për vrasësin, që të mund të pastrojë shumë mirë vendin e krimit, duke mos lënë asnjë gjurmë pas.

Vrasja që tronditi komunitetin e zonës duket se është kryer nga një person jo ekspert, pasi siç raportojnë mediet italiane, kufoma ishte prerë shumë keq me një mjet prerës që dyshohet të jetë sharrë rrethore.

Trupi i prerë në pjesë u gjet më datë 28 korrik, ndërkohë që vrasja dyshohet se është kryer më datë 22.

Vrasësi nuk ka tentuar të eleminojë elementë të veçantë, siç ishte një tatuazh që viktima kishte në trup, detaj që i ndihmoi policët në identifikimin e shpejtë të të moshuarit, të cilit ende nuk i ishte gjetur koka.

Sipas dy fëmijëve të Shefkiut, Arbenit dhe Alketës, i moshuari nuk kishte asnjë armik, por vrasja e tij makabre dëshmon se dikush e urrente aq shumë të ndjerin sa ta vriste dhe copëtonte pa mëshirë.

Hetuesit janë përqëndruar në 2 pista: Jetën e viktimës dhe të familjarëve të tij, por dhe të ardhurat e 71-vjeçarit.

Sipas asaj që raportojnë mediet italiane, në këto dy pista dyshohet se fshihet motivi i vrasjes së durrsakut 71-vjeçar.

Gjatë këtyre ditëve, bashkëshortja e tij Nadirja është transferuar në shtëpinë e djalit, i cili gjithashtu jeton në Itali.

Shefki Kurti dhe bashkëshortja e tij Nadire ikën nga Durrësi dhe mbërritën në Itali në vitet ’90.

Ata ishin ndër shqiptarët e parë që mbërritën në vendin fqinj.

Fillimisht kishin shkuar të jetonin në Villanova del Ghebbo, ku Shefkiu kishte nisur menjëherë punë, për t’u zhvendosur më pas në Badia Polesine.

Të dy kishin dy fëmijë, Alketën me banim në Zvicër dhe Arbenin që jeton në Masi, Itali.

Ky i fundit punon si DJ në diskotekat lokale dhe ka dy fëmijë.

Asnjë familjar nuk ka pasur ndonjëherë probleme me drejtësinë.