Është rishikuar për herë të dytë buxheti i shtetit, ku besohet se të paktën 255 milionë euro më shumë do të hyjnë në arkën e ministrisë së Financave.
Qeveria ka miratuar dhe paketën e dytë të rezistencës sociale ku ndryshe nga e para që kapte vlerës e rreth 6 miliardë lekëve paketa e dytë do të jetë 12.1 miliardë lek, pra dyfishi i të parës.
Në Fletoren Zyrtare është publikuar akti normativ i qeverisë për ndryshimin e buxhetit të shtetit ku bëhet edhe rishpërndarja e të ardhurave të buxhetit.
Me këtë shtim të buxhetit i hapet rruga edhe miratimi tashmë se si do të shpërndahet në zëra 6.1 mld lekë të paketës së dytë të rezistencës sociale. Në akt specifikohet se 1 miliardë e 670 milionë lekë të këtij fondi do të përdoren për kompensimin e ndërtuesve që kanë kontrata publike për çmimet e rritura të materialeve të ndërtimit.
Në muajin mars të këtij viti u miratua paketa e parë e rezistencës ku në dispozicion u vendosen 6 miliardë lekë. Në atë kohë u nda një shumë prej 3 mijë lekësh për tre muaj me radhë për rreth 400 mijë persona mes tyre një pjesë e pensionistëve si dhe invalidët. Ndihma u dha për tre muaj me rradhë dhe pavarësisht vazhdimit të rritjes së çmimeve pas muajit qershor u ndërpre, duke sjellë dhe pakënaqësi tek shtresat në nevojë dhe pensionistët.
Administrata do të zgjerohet me 362 punonjës, në total 84,576, ku shtesa kryesisht do të shkojë tek Ministria e Infrastrukturës dhe AKSHI.