Policia e Tiranës, pas një hetimi disamujor, ka zbuluar dy baza të shpërndarjes së drogave të rënda në kryeqytet, një në rrugën “Zef Serembe” dhe tjetra në zonën e Astirit.

Në fillim u ndalua një burrë me iniciale I.A, 57 vjeç, pasi në rrugën “Zef Serembe”, gjatë kontrollit nga policia në shtëpinë e tij u gjetën 500 doza heroinë, shuma të konsiderueshme parash, një makinë, një celular një DVR.

Ndërkohë, nga Komisariati nr.1 u zbulua baza e dytë në zonën e Astirit, në një shtëpi të marrë me qera nga F.G, 24 vjeç, i cili u arrestua. Gjatë kontrollit fizik dhe të shtëpisë, djalit iu gjetën 34 doza kokainë si dhe një sasi kanabisi, të cilat u sekuestruan së bashku me një peshore elektronike dhe 1 aparat celular.

Këto dosje me provat përkatëse iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, në ngarkim të shtetasve I.A dhe F.G.