Nga Mila Ballhysa
Memorandumi i Bashkëpunimit për ndërtimin e marinës turistike i ka kapur pak pa mendje durrsakët.
Mes vapës së gushtit dhe pushimeve të shumëpritura, projekti që pritet të ndryshojë fatet e qytetit në vitet në vazhdim i ka lënë thuajse indiferentë.
“Boom”-i i miliardave që do të hedhë “investitori arab” dhe ai i turistëve që do të vrapojnë drejt Durrësit nuk i ka trazuar. Marrja e pronës publike dhe kalimi i saj tek privati i kompanive offshore nuk u ka bërë shumë përshtypje.
Duke njohur indiferentizmin me të cilën kanë pranuar betonizimin e qytetit, kazmën dhe ekskavatorët mbi arkeologjinë, një monstër betoni dhe hekuri të quajtur Velierë në zemër të zonës historike, katrahurën urbane e shumë të tjera si këto, ky mos reagim i tanishëm nuk surprizon.
Në një qytet ku pasojat e tërmetit të 3 viteve më parë janë ende shumë prezente dhe ku përfituesit e bonusit kanë nisur ta marrin këtë të fundit një herë në tre muaj, afera e portit u duket një gjë shumë larg pragut të shtëpisë së tyre.
Ashtu iu duk edhe betonizimi i qytetit ndër vite, por sot të gjithë qahen për pak jeshilllëk.
Një qyteti që po i ikën rinia e ku bizneset vuajnë të gjejnë punonjës të aftë, zhurma për projekte miliardere e afera korruptive i kalon tangent nëpër tavolinat e kafeneve.
Në një kohë kur për 32 vite me radhë, qeveritë qendrore dhe lokale, majtas dhe djathtas, dështuan të largonin disa familje nga amfiteatri për t’i hapur rrugë zbulimit të plotë të këtij të fundit, me një të rënë të lapsit qeveria Rama vendosi t’i kalonte investitorit strategjik 80 ha sipërfaqe të portit për të hedhur shtat rezidencat luksoze.
Amfiteatri do të ishte një aset mjaft i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore për të gjithë rajonin e Ballkanit, rezidencat luksoze të marinës turistike do të jenë aset fitimprurës vetëm për kompanitë offshore dhe ata që fshihen pas tyre.
Jemi renditur gjithnjë qyteti i dytë pas Tiranës për nga rëndësia ekonomike, ku pa diskutim porti ka qenë një hallkë mjaft e rëndësishme e ekonomisë së qytetit, gjenerimit të të ardhurave dhe nyje kryesore e transportit.
Sot ky aset ekonomik po i ikën qytetit, ndërsa nuk ka asnjë afat konkret sesa kohë do të duhet për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano.
Durrësi humb dhjetëra hektarë tokë publike, ndërkohë që nuk dihet sa do të jetë kosto që qytetarët shqiptarë (mes tyre edhe ata durrsakë) do të paguajnë për portin e ri tregtar.
Ankohemi për betonizimin e qytetit, ndërsa qëndrojmë indiferent ndaj një betonizimi të dytë, që këtë herë prek atë që ka qenë zemra ekonomike e qytetit për shekuj me radhë. Tonelata beton pritet të hidhen në një projekt që nuk ka qenë transparent që nga dita e parë e madje as tani kur pritet që marrëveshja të kalojë në Kuvend.
E vetmja gjë reale gjatë këtyre muajve ka qenë hapja e zyrës së shitjeve tek porti dhe telefonatat tek individë të ndryshëm nëse donin të blinin apartamente.
Marina turistike 2 miliardë euro, e kthyer në një pazar të rëndomtë shit-blerje pasurish të paluajtshme!!!
Vapa e gushtit dhe hallakatja e pushimeve kalon shpejt. Përpara kemi shtatorin, muaj gjatë të cilit ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj premtoi se do të mbyllej procesi i rindërtimit.
Por Beni u shkarkua dhe s’është çudi që faji për pallatet e pariforcuara dhe të pandërtuara, madje dhe për ato të pashembura ende do bjerë mbi të!!!
Qeveria do të premtojë një afat të ri, siç e ka bërë tashmë traditë me të gjitha investimet publike.
Pas dimrit mesdhetar, vjen pranvera e zgjedhjeve lokale. Do pompohemi nga mëngjesi në darkë nga propaganda.
Deri atëherë do të jetë vënë guri i parë i themelit të marinës turistike 2 miliardë euro. Do të jetë therur edhe kurbani i parë për mbarëvajtjen e punimeve.
Pas firmosjes së marrëveshjes, investitori Mohammed Alabbar foli edhe për gabime dhe kërkesë faljeje gjatë zbatimit të projektit.
Do zoti që gabimet e arabit të mos bëjnë kurban një qytet të tërë!