Opinioni publik në Durrës u trondit muajin e fundit nga dy vetëvrasje personash të rinj në moshë.

Një 42-vjeçar dhe një 25-vjeçare zgjodhën t’i jepnin fund jetës në harkun kohor të një muaji, duke lënë pas dhimbje dhe dëshpërim në rrethin familjar dhe shoqëror.

Por a është vetëvrasja një veprim i menjëhershëm apo i mirëmenduar?

“Vetëvrasja shprehet në forma të ndryshme. Nuk ndodh në mënyrë akute. Individi e mirëmendon për një kohë të gjatë”,- thotë psikologia Hilda Goda për “DurrësLajm”.

Organizata Botërore e Shëndetit e rendit vetëvrasjen si shkaktarin nr.10 të vdekjeve në botë. Faktorët që çojnë në këtë akt ekstrem janë të brendshëm dhe të jashtëm.

“Faktorë të jashtëm janë problemet ekonomike, ato familjare. Papunësia, divorci, situata të ndryshme sociale që nuk përjetohen mirë nga qytetarët. Ndërsa faktorët endogjenë, të brendshëm, janë patologji të ndryshme prej të cilave individi vuan”,- thotë Goda.

Për psikologët dhe specialistët e shëndetit mendor, vëmendja dhe kujdesi i familjarëve duhet të luajë një rol kyç për pikasjen e sinjaleve të para të çrregullimeve në sjellje apo në shëndet, për të parandaluar më pas përkeqësimin e simptomave.

Por cilat janë sinjalet e para që nis dërgon organizimi i njeriut? Psikologia Hilda Goda na tregon: 

“Janë individë që fillojnë reduktojnë kujdesin ndaj vetes. Një sinjal tjetër është reduktimi ose izolimi nga marrëdhëniet sociale. Reduktimi i oreksit është një tjetër sinjal. Janë kryesisht individë që bien nga pesha. Kjo është shenjë se diçka nuk po funksionon si duhet. Pagjumësia është sinjal shumë i rëndësishëm. Kemi shumë raste pacientësh që nuk flejnë dhe atyre u duket diçka normale. Por nuk është, sepse organizmi ka nevojë për pushim që të rikuperohet. Ka indidivë që kanë mendime negative, nuk shikojnë më shpresë. Ata mbyllen në vetvete, dëshpërohen dhe përmendin çaste vdekjeje”.  

Kurimi i personave që vuajnë nga ankthi, depresioni apo çrregullime emocionale realizohet në dy forma, psikoterapi dhe farmakoterapi. Është simptomatologjia dhe mosha e pacientit që përcakton zakonisht mënyrën e trajtimit mjekësor.

“Ne duhet të promovojmë shëndetin mendor në mënyrën më të shëndetshme të mundshme, sepse është ambienti që na sëmur dhe është po ambienti që na shëron. Farmakoterapia duhet të përdoret në rastet më të rënda, kur i kemi kaluar tashmë etapat e trajtimit me psikoterapi”,- thekson psikologia Hilda Goda.

M.B.