“…atdheu që ua kalon të tjerëve nga bukuria, qytet që zgjatet nga toka në det dhe që ka me shumicë nga ato që mund të prodhojë toka dhe deti.” Kështu, shprehet ndër të tjera për Durrësin e lashtë historiani i asaj kohe Prokopi i Gazës. Durrësi i sotëm është një muze i gjallë i qytetërimit të lashtë pellazgo-ilir dhe historia zbret ndër shekuj për të mbërritur në ditët tona me dëshirën për të njohur dëshmitë që paraardhësit e epokave të ndryshme i kanë lënë pasardhësve të tyre, po dhe njerëzimit, si një bekim jo thjesht për t’u ndjerë krenarë, po për ta shfrytëzuar në funksion të mirëqenies dhe zhvillimit. Jo vetëm nëntoka, por dhe nënuji në Durrës është një muze i gjallë, i pasur me trashëgimi kulturore. Në një pozicion të veçantë pranë shëtitores bregdetare dhe detit ngrihet Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një domosdoshmëri për t’u vizituar sa herë që vjen në Durrës. Aty përballesh me madhështinë e së kaluarës, finesën e artit antik e mesjetar dhe jo rrallëherë ndjen keqardhje për mosshfrytëzimin e kësaj pasurie për rimëkëmbjen e plotë ekonomike të rajonit të Durrësit, nisur nga turizmi arkeologjik kulturor, ai detar dhe resurset e shumta që qyteti i ngritur e ringritur disa herë mbi veten zotëron.

Projekti “Approdi-Nga rrugët antike detare në destinacione turistike” po nxit forma të reja dhe ekologjike të turizmit përgjatë rrugëve të vjetra tregtare detare dhe porteve antike, duke i kthyer në atraksione turistike, lehtësisht të arritshme nga toka dhe deti. Vëmendja është kthyer drejt zhvillimit ekoturistik të porteve antike, të zonave të pasura me trashëgimi kulturore mbi dhe nënujë, po në Durrës ende mungon një pavion i arkeologjisë detare.

Krahas zbulimeve arkeologjike të gjetura nga gërrmimet, e specializuara apo rastësore për shkak të ndërtimit, në zona të ndryshme të qytetit, janë dhe ato të zbuluara në det. Pjesë të këtyre gjetjeve i has jo vetëm në muzeun arkeologjik, po dhe në banesa durrsakësh, këto të fundit si dëshmi e një bote nënujore që veçanërisht në vitet ’90, e pambrojtur nga shteti, ra pre e kujtdo të apasionuari pas së kaluarës, po dhe arkeomafias. Edhe pse dekadën e fundit ndërgjegjësimi për trashëgiminë tonë kulturore nënujë ka ardhur në rritje, sërish artefaktet dhe bota magjike e nënujit të Adriatikut dhe Jonit nuk gjendet e pasqyruar në një muze apo pavion të dedikuar arkeologjisë nënujore. Prej vitesh, kati i tretë i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, më i madhi dhe më i vizituari në vend, pret të kthehet në një pavion të arkeologjisë nënujore. Amfora, pjesë spirancash antike apo dollium i zbuluar dhe restauruar vitet e fundit janë të ekspozuara bashkë me shumë objekte të tjera në katin e parë të muzeut, që është një nga më të mëdhenjtë në rajon.

Arkeologu i mirënjohur nënujor Adrian Anastasi tregon se gjetjet janë të shumta dhe të mjaftueshme dhe në pasurim e sipër nga ekspeditat nënujore për të krijuar një pavion të arkeologjisë nënujore, që do të tërhiqte dhe më shumë vëmendjen e turistëve të huaj dhe vendas për rolin që ka pasur vendi ynë që në Antikitet në shkëmbimet tregtare ndërkombëtare përmes detit. Një pavion që të ndërthurë forma të ndryshme të ekspozimit dhe dokumentimit, përfshirë dhe ato digjitale, duke iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe për t’u shndërruar në arsye krenarie dhe zhvillimi ekonomik për banorët e sotëm e të nesërm të Durrësit. Sipas Anastasit, jo çdo gjetje nga kërkimet nënujore mund të sillet në muze, ndaj ekspozimi i tyre përmes ekraneve do të ishte një tjetër formë që do e pasuronte pavionin e arkeologjisë nënujore.

Arkeologjia nënujore në Shqipëri zë fill që në fund të viteve ’70, por ende sot ky pavion apo muze i dedikuar artefakteve dhe dëshmive të shumta të dokumentuara gjatë ekspeditave nënujore përgjatë Adriatikut dhe Jonit mungon.
Sipas arkeologëve durrsakë, kërkimet e bëra gjatë dy dekadave të fundit, në zonën e Durrësit dhe në bregdetin jugperëndimor, hedhin dritë mbi aspekte të ndryshme të historikut të sistemit portual shqiptar dhe mbi zhvillimin ekonomiko-social të qyteteve antike, të vendosura përgjatë vijës bregdetare të detit Adriatik dhe Jon, duke evidentuar pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë mijëravjeçare kulturore. I ndodhur mes dy kryeqendrave të botës antike, romakëve dhe helenëve, Dyrrahu dhe qytetet e tjera bregdetare nuk mund të shmangnin shkëmbimet tregtare mes tyre.

Arkeologu Anastasi tregon për hapësirën e re që ofrojnë zbulimet nënujore për zhvillimin e eko-turizmit në Durrës e më gjerë. Një dolia (dollium), enë e transportit të verës së hapur, e zbulur në thellësitë e Gjirit të Durrësit rreth një vit më parë, hapi një dritare dijeje për mënyrën si funksiononte tregtia e verës dhe vendin që zinte Dyrrahu i lashtë në të, i cili në atë periudhë kultivonte rrushin e llojit balisk, që nuk shquhej për verë të cilësisë së lartë, po kultivuesit dhe prodhuesit romakë të verës kishin konstatuar se vera që bëhej me rrushin balisk, po të vjetërohej mundësonte një verë cilësore aq shumë të kërkuar në tregun mesdhetar. Tregtarët nxitonin të blinin verë me rrush balisk me çmim të lirë dhe pas disa vitesh konservimi e tregtonin atë më shtrenjtë në vendet e tjera të Mesdheut.

Kështu, në shekujt I-III të erës sonë, tregtia e verës mes vendeve të Mesdheut dhe më gjerë nisi të zgjerohej. Anijet e transportit të verës së hapur lëviznin kryesisht në trekëndëshin Itali-Francë-Spanjë. Ndaleshin në portet e tyre duke dërguar e marrë sasi të madhe verërash të ndryshme, por shpejt gjetjet nënujore treguan se trajektorja e lëvizjes së këtyre anijeve u zgjerua, duke përfshirë dhe portin antik të Durrësit. Lulëzoi tregtia e rrushit dhe verës, duke shënuar rritje dhe në shkëmbimet tregtare të qytetit me qytetet e tjera në rajon.

“Prej 15 vitesh kemi kërkime intensive dhe gjetje interesante që hedhin dritë mbi zhvillimet e shoqërisë, marrëdhëniet e saj tregtare me shoqëritë e tjera të zhvilluara të kohës. Vullneti për të ngritur pavionin e arkeologjisë nënujore nuk ka munguar, po mbetet çështje fondesh.”- shprehet jo pa keqardhje arkeologu që ia ka dedikuar jetën pasurisë kulturore nënujore, ende e pavlerësuar siç duhet nga shteti.

Lidhur me këtë çështje, edhe arkeologia e Qendrës Muzeore Durrës, Eda Çekrezi thotë se mbledhja e të gjitha të dhënave të deritanishme mbi arkeologjinë nënujore, krijimi i një harte arkeologjike të zonës dhe ekspozimi i tyre në një pavion të veçantë të arkeologjisë nënujore do t’i shërbejnë në tërësi jo vetëm pasurimit të historisë dhe muzeut, guidave turistike, po dhe krijimit të itinerareve të reja turistike, duke shtuar mundësitë që ofrojnë zhvillimin turistik të rajonit të Durrësit, gjë që gjerësisht është dhe në synimet e Bashkimit Europian përmes programeve të tij. Pavarësisht përpjekjeve të bëra dekadën e fundit për të zbuluar trashëgiminë kulturore nënujore mbetet ende shumë për të bërë. E ashtuquajtura mungesë e fondeve nuk duhet të bëhet pengesë për të ngritur një pavion modern të arkeologjisë nënujore dhe për të mbështetur eksplorimin e thellësive ujore që fshehin të tjera dëshmi, artefakte mbi jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të të qyteteve tona bregdetare në lashtësi e më tej në mesjetë.

Çelja e një pavioni të dedikuar për arkeologjinë nënujore është kthyer në një domosdoshmëri, që kërkon mbështetje financiare dhe teknike për krijimin dhe shfrytëzimin e infrastrukturës, sigurimin e ekspozimit të zbulimeve në forma të ndryshme bashkëkohore, po dhe për vënien në dispozicion të specialistëve të fushës.

Arkeologët kërkojnë një muze dhe pavion të dedikuar arkeologjisë nënujore, ku vizitorët të kalojnë kohë cilësore nën shoqërinë e historisë, treguar nga ciceroni dhe të ndërthurur me dokumentarët, pamjet nga bota e pasur e nënujit të bregdetar shqiptar.

V.Q.