Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mëngjesin e sotëm në autostradën Milot-Thumanë, pranë Laçit.
Mësohet se është plagosur Besim Zeneli, 60 vjeç, i cili ndodhej pranë lokalit të tij në autostradë në momentet që është qëlluar me armë.
Ky i fundit ka marrë plagë në trup dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin mjekësor
“Rreth orës 00:25, gjatë kohës që shtetasi B. Z. 60 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin, ka qenë në biznesin e tij (dyqan fruta-perimesh) që ndodhet në anë të rrugës, në autostradën Laç – Lezhë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Për pasojë, shtetasi B. Z. ka marrë plagë në trup dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin mjekësor. Grupi hetimor vijon veprimet në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe vlerësuar çdo informacion, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.





