Nga Eduard Shehi

Ndryshimet e sistemeve qeverisëse që ka njohur historia moderne e Shqipërisë janë reflektuar gjerësisht në kundërvëniet ekstreme mes interesave dhe synimeve që ato regjime ndiqnin. Historia dhe trashëgimia kulturore është një nga drejtimet ku më së shumti janë përballur fuqimisht kundërvëniet e atyre interesave.

Duke i hedhur një vello historike synimeve politike që secila palë ka pasur, justifikoheshin synime të caktuara në territor. Në historinë e Shqipërisë ka pasur raste të manipulimeve të qëllimshme të disa aspekteve të lidhura me trashëgiminë arkeologjike. Ndonjëherë ato janë ndriçuar nga kërkuesit, në raste të tjera pjesërisht ose aspak, duke vazhduar të jenë pjesë e jetës sonë të përditshme, pa asnjë ndryshim. Këtu do të cek vetëm dy raste nga Durrësi, me shpresën se mund të ndikojë sadopak në ndryshimin e situatës. Dy rastet e përzgjedhura kanë të bëjnë me një manipulim gjuhësor nëpërmjet ndryshimit të toponimisë, dhe nje manipulim pamor nëpërmjet ndryshimit të imazhit të një monumenti simbol.

“Porto Romano” apo “Portës”?

Në fundin verior të brezit kodrinor të Durrësit krijohet një gji detar relativisht i vogël. Që nga antikiteti e deri kur këneta nuk ishte bonifikuar ende, këtu gjendej njëra nga dy pikat komunikuese të qytetit me prapatokën. Për këtë arsye, në antikitetin e vonë ishte ngritur një mur mbrojtës që mbyllte komunikimin e lirë drejt qytetit.

Në gjuhën popullore, por edhe në terminologjinë administrative, kjo zonë njihet me toponimin “Porto Romano”. Dyfjalëshi i toponimit nënkupton një port të periudhës romake. Ky mendim është shprehur herë pas here edhe nga arkeologë të huaj ardhur pas vitit 2000 në Shqipëri, ndërkohë që nuk ka as edhe një element për ta dëshmuar një gjë të tillë. Për rrjedhojë, si është e mundur që në një territor ku kërkimet arkeologjike nuk kanë dëshmuar asnjë element pranie të një porti, mban një toponim të tillë?

Një burim shumë i rëndësishëm të dhënash mbi evoluimin e toponimisë janë hartat historike. Po jap pak shembuj ilustrues. Në vitin 1886 është botuar nga L. Heuzey një studim mbi luftën civile mes Cezarit dhe Pompeit, ku trajtohet edhe përballja e tyre në Durrës (Les opérations militaires de Jules César, Paris: Libraire Hachette, 1886).

Përshkrimi i territorit është bazuar tek vizita në terren që ky studiues ka realizuar më 1861. Libri shoqërohet me disa  harta.

“Carte du Pays entre la baie de Durazzo et l’Arzen”, sipas Heuzey 1886.

Në territorin që po trajtojmë gjejmë këto legjenda në frëngjisht: “Fortification byzantine de Porta”; “Porta”; “Mur et Porte”. Këto detaje na tregojnë se këtu gjendej një strukturë mbrojtëse, e datuar në antikitetin e vonë, që përdorej si toponim për zonën. Në një botim më të hershëm të vitit 1876, po nga studiuesi franceze Leon Heuzey, një kapitull i detajuar i është dedikuar përshkrimit të Durrësit dhe fortifikimeve në të gjithë territorin. Për zonën në fundin e kodrave veriore të qytetit përdoret toponimi “Porta” (L. Heuzey, M. Daumet, Mission archéologique de Macédoine, vol. 2, texte et planches, Paris: Libraire de Firmin-Didot et Cle., 1876, f. 361).

Përgjatë Luftës së I Botërore, qyteti i Durrësit u pushtua nga ushtria Austro-Hungareze. Për nevojat e luftës, i gjithë territori u rilevua dhe u skicua në harta ushtarake, duke përdorur edhe të dhëna më të hershme. Këtu po paraqesim vetëm një nga këto harta ushtarake të vitit 1917.

Qyteti i Durrësit dhe territori i tij. Viti 1917. Burimi: HM Hadtörténeti Intézet és Múzeum, Hungari, nr. inv. HIVd-0802-08-02.

Në zonën për të cilën po shkruajmë, ka vetëm një toponim të shënuar: “Portes”.

Në vitin 1919, arkeologët C. Praschniker dhe A. Schober kanë botuar një libër mbi kërkimet arkeologjike të realizuara përgjatë viteve të Luftës së I Botërore. Në përshkrimet mbi Durrësin, përmendin edhe murin fortifikues në veri të qytetit, bashkë me një fotografi, duke e emërtuar “Porthes” (C. Praschniker, A. Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Ëien 1919, f. 46, fig. 58).

Këto të dhëna janë mëse të qarta për të kuptuar se toponimi shqip “Portës” lidhej me praninë e një porte, e mbuluar me qemer (dëmtuar vazhdimisht ndër vite dhe prishur në vitet e fundit), pjesë e murit fortifikues që bllokonte kalimin mbi shtegun lidhës mes Kepit Pali dhe kodrave të Durrësit.

Portë me qemer në murin fortifikues të Portezës. Viti 1912. Burimi: Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.

Përmasat e kufizuara të hyrjes së fortifikimeve kanë bërë që ajo të quhej “Portës”. Më pas ky emërtim është përdorur nga banorët si toponim i të gjithë zonës.

Përdorimi i një toponimi të ndryshëm haset për herë të parë në vitin 1927. Arkeologu italian, Maria Luigi Ugolini ka botuar një fotografi të murit fortifikues dhe si diçiturë ka shkruar: “Durazzo – Località denominata ‘Porta Romana’” (Albania Antica, vol. I. Ricerche Archeologiche, Roma/Milano S.E.A.I. 1927, f. 9, fig. 5-7). Po ky autor shënon në një tjetër botim “Mura romana di ‘Porta Romana’ presso Durazzo” (L’Antica Albania nelle ricerche archeologiche italiane, Roma: Sindicato Italiano Arti Grafiche, 1927, fotografitë në f. 72-73). Për aq sa njohim burimet arkivore, është ky arkeolog që përmend për herë të parë një emërtim të tillë, duke datuar fortifikimin në periudhën romake, e për rrjedhojë “Porta Romana”.

Por një datim i tillë ishte tërësisht i gabuar, siç e kishin provuar disa dhjetëvjeçarë më parë studiuesit francezë, e më pas studiuesit shqiptarë. Ky fortifikim i takon antikitetit të vonë. Vetë Ugolini në studimet e tij mbi Finiqin apo Butrintin bën dallime të qarta mes periudhës perandorake romake dhe periudhës romake të vonë. Për rrjedhojë, datimi i “Portës” në periudhën romake mund edhe të konsiderohet një “gabim” i vullnetshëm nga Ugolini, duke justifikuar nga ana e tij edhe ndryshimin e toponimit. Më pas duket se ndikimi “modernizues” italian në Durrës përgjatë atyre viteve ka bërë që toponimi i ri të jetë preferuar nga shtresa të caktuara shoqërore. Vetëm kështu mund të gjejë shpjegim fakti që në një guidë të Shqipërisë, botuar në vitin 1930 nga Leon Rey, gjejmë të përdorur në tekst emërtiminn “Les ruines dites ‘Porta Romana’…” (Guide de l’Albanie, Paris: Office du tourisme en Albanie, 1930, f. 99). Ai ka përdorur këtë toponim megjithëse qartazi shkruan se muri fortifikues i takon antikitetit të vonë.

Në hartën topografike të vitit 1928, të punuar nga gjeografë italianë, në fashikujt ku përfshihet edhe pjesa veriore e Durrësit, nuk e kemi hasur këtë toponim. Në plotësimin e së njëjtës hartë realizuar deri në vitin 1941 hasim dy toponime “Kodra e Portës” dhe “Porta Romana” (Harta gjendet në faqen online të ASIG Tiranë dhe IGM Itali). Kjo hartë dëshmon qartazi se kishte një përballje mes dy toponimeve, njëri tradicional, i ruajtur për kodrën dhe tjetri i ri, i kufizuar vetëm tek pjesa fundore e kodrës ku gjendej fortifikimi.

Të dhëna që parashtruam tregojnë se gjendemi para dy mundësive. Termi “Porta Romana” mund të jetë krijuar nga Ugolini dhe përhapur më pas gradualisht, por jo gjerësisht deri në fundin e viteve ‘30 të shek. XX, kur kthehet në toponim zyrtar.

Mundësia e dytë lidhet me tendencat kulturore italianizuese pas pushtimit italian në fundin e Luftës së I Botërore, që kanë vazhduar edhe më pas, duke i dhënë jetë toponimit “Porta Romana”. Nëse kështu, studiuesit e huaj, përfshirë Ugolinin, mund të kenë përdorur një toponim të gjetur në terren. Kundër këtij versioni të dytë është fakti se deri më sot nuk kam gjetur asnjë përdorim të toponimit “Porta Romana” para vitit 1927.

Me kalimin e viteve, termi “Portës” është fshirë fare nga kujtesa kolektive, ndërsa toponimi “Porta Romana” i ka lënë vendin versionit të deformuar “Porto Romano”. Ky version i ri ka fshirë tërësisht edhe lidhjen me fortifikimet. Se kur ka ndodhur përfundimisht një ndryshim i tillë nuk është ende e qartë, por mesa duket përgjatë viteve të Luftës II Botërore.

Por a njihej ky fakt më parë? Kemi së paku një rast të njohur kur Moikom Zeqo ka botuar në vitin 1982 një tekst të shkurtër informues mbi këtë çështje (“Porta, ose Portëza, por jo Porto-Romano”, Adriatiku 29 Gusht 1982, f. 4). Ai tregon qartësisht ndryshimin e emrit dhe fton në rikthimin e toponimit origjinal Portëz.

Këto të dhëna na tregojnë qartazi se ndryshimi i toponimit të vjetër ka ndodhur  nën ndikimin akulturues italian. Ai mund të ketë filluar para Ugolinit ose nga ai vetë, por qartësisht është bërë dominues që nga viti 1939. Nëse toponimi “Porta Romana” ka manipuluar kronologjinë duke ruajtur lidhjen funksionale, toponimi “Porto Romano” nuk ka asnjë bazë reale arkeologjike apo historike. Për rrjedhojë ka vetëm një shpjegim në këtë ndryshim: dëshira e qartë e manipulimit të toponimisë lokale, për të nxjerrë në pah trashëgiminë romake.

Pamja e jashtme e Torrës Veneciane

Një nga simbolet pamore të qytetit të Durrësit është monumenti  i ashtuquajtur “Torra veneciane”. Ajo lartësohet si pjesë përbërëse e ballinës juglindore të qytetit, që ishte edhe linja fortifikuese kryesore me të cilën shikohej Durrësi nga bregdeti. Kulla në vetvete përbën një monument mbresëlënës për nga madhështia dhe fuqia që ajo reflekton, duke u vendosur në qendër të përmendjeve, skicimeve dhe fotografive të ndryshme.

Harta më e hershme që kam arritur të gjej, ku shfaqet qartësisht kjo kullë, i takon vitit 1723. (E.Rusch, G.Lucio, Gründliche Beschreibung des Königreichs Dalmatien: in welcher alle und jede historische Merkëürdigkeiten von den ältesten bis auf die neuesten begriffen…, Nürnberg 1723, f. 263).

Kalaja e Durrësit sipas Rusch, Lucio. Viti 1723.

Përveç paraqitjes së formës rrethore, detajet janë shumë të stilizuara dhe të paqarta.

Në një hartë ushtarake osmane të vitit 1865 kemi paraqitjen planimetrike më të saktë dhe të detajuar të fortifikimeve të Durrësit (Arşiv Belgelerine Göre Osmanlı Kaleleri, İstanbul: T. C. Devlet Arşivleri Genel Müdürlüğü Yayınları, 2016f. 17). Kulla paraqitet me planimetrinë rrethore dhe me detajet e pjesës së sipërme, ku janë skicuar vetëm pesë frëngji artilerie.

Fotografia më e hershme me pamjen e afërt të kullës rrethore i takon vitit 1908.

Pamje e torrës, viti 1908, Burimi: Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.

Të tjera imazhe të vitit 1912 e paraqesin atë si nga jashtë ashtu edhe nga brenda.

Pamje e sipërme e torrës, viti 1912. Burimi: Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.

Në të gjitha fotografitë kemi të njëjtin model: një bazament masiv trungkonik, dy korniza rrethore kufizojnë murin e të vetmit kat të kullës në dy nivele. Mbi kornizën e sipërme janë qartësisht të dukshme pesë mure të ulëta, të gjatë, të rrumbullakosur. Mes tyre krijoheshin frëngji për pesë topa të kalibrave të mëdhenj.

E njëjta pamje e kullës dëshmohet deri në vitin 1939. Kemi përzgjedhur si tregues një fotografi ku paraqitet zbarkimi i ushtarëve italianë në qytet, pas pushtimit të datës 7 prill.

Momente nga zbarkimi i trupave italiane më 7 prill 1939. Në sfond duket Torra. Burimi: Arkivi Luce, Itali.

Pas kësaj date kanë ndodhur ndryshime transformuese në pamjen e jashtme të kullës. Në një fotografi të vitit 1941, në plan të parë dallojmë qartazi kullën rrethore, të restauruar, me një antenë radioje mbi të.

Kulla rrethore e restauruar, viti 1941. Autori i panjohur.

Tashmë është mëse e qartë se ka ndryshuar forma e pjesës së sipërme të saj. Pesë muret ndarës që formësonin frëngji për artileri me barot janë zhdukur. Në vend të tyre janë të dukshme disa gjoksore, më të larta dhe më të ngushta sesa muret e mëparshëm. Këto gjoksore janë të njëjtat me ato që shikohen aktualisht edhe sot mbi kullë.

Eleminimi i mureve të ulëta për frëngji artilerie dhe ndërtimi i një modeli të ri, tërësisht i ndryshëm nga origjinali, është mëse e qartë se ka ndodhur pas prillit 1939 deri në mesin e vitit 1941. Kuptohet se ka pasur një vendimmarrje të qëllimshme për të ndryshuar pamjen e kullës. Duke kaluar në modelin e ri me gjoksore, jepet ideja e një ndërtimi më të hershëm sesa ai me frëngji për artileri me barot. Nën këshillat e ndonjë historiani/arkeologu fashist italian është synuar që kullës t’i jepej një imazh më i hershëm, duke i vendosur gjoksore për shigjetarë. Ndryshimi i një elementi të tillë datues është mëse i qartë se ka pasur një qëllim të dukshëm manipulimi historik, në funksion të mbështetjes së pretendimeve fashiste mbi Shqipërinë, si pasardhës të venedikasve në këtë rast.

Në vend të përfundimeve

Këto dy raste na shfaqin elementë mëse të dukshëm mbi tendencat e manipulimeve të historisë përgjatë viteve të ndikimit italian fillimisht e të pushtimit fashist më pas. Është e nevojshme që të evidentohen të tilla manipulime në të gjithë territorin shqiptar, diku të njohura e ndryshuara (p.sh. emërtimi i Sarandës si Porto Eda), e në të tjera raste, ende të pacekura. Përsa i përket dy rasteve të përzgjedhua nga Durrësi, po përmend vetëm disa aspekte që tërheqin më shpejt vëmendjen.

Mendoj se gjendemi para fakteve të një përpjekjeje manipulimi historik me sfond të qartë politik. Nëse ndryshimi i toponimit “Porta Romana” mund të jetë një ndikim italianizues e “modernizues”, më pas ai ka marrë një version zyrtar manipulues përgjatë viteve të pushtimit fashist. Ndryshimi i pamjes së jashtme të kullës rrethore shfaq edhe më qartë përpjekjet manipuluese të kryera me urdhër politik, ndoshta si pjesë e programit kolonizues që Roma synonte të zbatonte. Kolonizimi sigurisht që do të kishte nevojë edhe për një bazë mbështetëse historike, duke mos ia lënë të gjithë barrën vetëm tytave të armëve. Ndërhyrjet manipuluese në historinë e Shqipërisë për të rikrijuar një baze të re mbështetëse duhet të jetë vendosur në nivele të larta të regjimit fashist, duke përdorur këshillat e studiuesve të fushës së trashëgimisë dhe historisë. Synimi ishte qartësisht një fshirje graduale e së kaluarës historike të shqiptarëve, ose një deformim i saj, duke nxjerrë në pah trashëgiminë e hershme romako-venedikase që legjitimonte kolonizimin fashist. Ndryshimi i toponimisë së një gjiri detar me rëndësi strategjike, dhe ndryshimi i imazhit pamor të një monumenti simbol janë vetëm dy nga rastet që e tregojnë më së miri këtë tendencë.

Ajo që na habit në këtë çështje, nuk është ngushtësisht synimi manipulues i regjimit fashist, por tendenca dhe këmbëngulja për t’i qëndruar besnikë ende sot këtij manipulimi.

Si është e mundur që megjithëse në rastin e Portës-ës është bërë publik manipulimi që në vitin 1982, nuk ka pasur një dëshirë as institucionale e as popullore për të rikthyer toponimin origjinal?

Mund të mirëkuptojmë lënien në hije të manipulimit pamor të kullës rrethore, pasi ndoshta studiuesit nuk kanë arritur ta kapin si detaj, por rasti i Portës-ës nuk gjen asnjë shpjegim logjik.

Kjo tendencë e këmbënguljes shqiptare për të vazhduar në rrugën e manipulimeve fashiste haset herë pas here ende sot. Po jap si shembull konkret projektin restarues të kullës rrethore, ku nuk përmendet kurrkund manipulimi pamor i sapopërshkruar. Rikthimi i imazhit origjinal të monumentit është një çështje e komplikuar, pasi në fund të fundit edhe ndërhyrjet manipuluese janë pjesë e historisë së monumentit, por së paku të ishte diskutuar çështja, në mënyrë që të gjendej zgjidhja më e mirë e mundshme. Por projektuesi e injoron si çështje, për institucionet shtetërore nuk ekziston, ndërsa financuesi ndërkombëtar që është informuar mbi çështjen, rri në heshtje.

Të tilla aspekte të vazhdimësisë së manipulimeve historike, që na janë bërë ndër vite, vazhdojnë edhe sot të jenë pjesë e jetës sonë të përditshme. Ka një mungesë të dëshirës për të hapur diskutime të tilla, pasi janë komplekse e të ndërlikuara. Si rrugëzgjidhje është gjetur largimi nga realiteti i tematikave të rëndësishme, duke harxhuar energji e kohë me histori joserioze, por që kanë efekte mediatike. Preferohen koncepte pa vlera, por “moderniste”, si në rastin e përdorimit të toponimit “Porto Romano”, pasi tingëllon më trendy dhe më perëndimor sesa “Portës”, duke u bërë kështu padashur vazhdues të manipulimeve ndaj historisë sonë./Reporter.al/