Gjykata e Elbasanit ka caktuar masat e sigurisë arrest me burg për 3 shtetasit e huaj që u kapën në uzinën ushtarake të Gramshit.
Në vendimin e dhënë nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, u cilësua i ligjshëm arrestimi i dy rusëve dhe ukrainasit.
Mikhail Zorin dhe Svetlana Timofeeva, si dhe ukrainasi Fedir Alpatov akuzohen për sigurim të informatave dhe goditje për shkak të detyrës.
Avokatët e Svetlana Timofeeva dhe ukrainasit Fedir Alpatov kërkuan që arrestimi i tyre të shpallet i paligjshëm dhe të lihen të lirë. Në rast të një mase shtrënguese, të caktohej detyrim paraqitje dhe mosdalja nga Shqipëria.
Ndërsa avokati i Mikhail Zorin, i cili akuzohet se sulmoi edhe dy ushtarët shqiptarë me spraj neuroparalizues, kërkoi që klienti i tij të hetohet me detyrim paraqitje.
Por për të tre këto kërkesa të palës mbrojtëse, gjykata nuk mori parasysh asnjë prej tyre dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe dëshmitë e të pandehurve janë mbajtur sekret.





