Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, la në burg Horgito Peqinin dhe Klaudjan Sallufin, të cilët akuzohen për vrasjen e 33-vjeçarit Madrid Ulqinaku.
Ngjarja ndodhi në datën 17 gusht, kur Horgito Peqini dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri për motive të dobëta 33-vjeçarin Ulqinaku.
Peqini dhe 33-vjeçari Sallufi kanë dalë në seancë për verifikimin e kushteve të masës së sigurimit të mbrojtur nga avokatë të caktuar kryesisht nga Gjykata.
I riu është shfaqur i qetë, madje duke buzëqeshur në seancë. Ndërsa Sallufi ka qëndruar i heshtur. Është vënë re mungesa e familjarëve të dy të pandehurve.
Ndaj 17-vjeçarit rëndon akuza e vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve.
Duke qenë i mitur, Peqini për veprën penale për të cilin akuzohet në bazë të nenit 76 të Kodit penal rrezikon nga 10 deri në 20 vjet burg dhe për shkak të moshës atij i përgjysmohet në 5 vjet deri 10 vjet burg dënimi nëse provohet vepra penale për të cilën akuzohet.
Horgito Peqini është nipi i Eduard Peqinit, kreu i bandës më të rrezikshme të Elbasanit në vitin 1997 i njohur si “Mandela i Elbasanit”.






