Një 45-vjeçar i cili dyshohet se kreu 19 raste të vjedhjes së sendeve me vlerë dhe parave, kryesisht në ambiente ku qëndronin pushuesit në Sarandë, gjatë sezonit turistik veror ka rënë në prangat e policisë.

Arrestimi i tij u bë falë operacionit policor të koduar “Last summer”.

45-vjeçari i ndaluar Ben Sula, rezulton i dënuar më parë në Itali dhe në Greqi, për të njëjtën veprimtari kriminale. 

“45 vjeçari i arrestuar ëshët shtetasi me inicialet  B. S., banues në Rrogozhinë. Ky shtetas dyshohet se gjatë sezonit turistik veror të vitit 2021 dhe të këtij viti ka kryer 19 vjedhje, në ambiente të ndryshme, në qytetin e Sarandës”, njofton policia.  

Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se 45-vjeçari ka vjedhur në dhoma hotelesh dhe në banesa të ndryshme, në të cilat qëndronin kryesisht pushues, bizhuteri të ndryshme, aparate celulare, si dhe rreth 500 000 lekë, 11 000 euro dhe 1 000 dollarë. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sende që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve të tjera, si dhe shuma parash në euro dhe lekë, të dyshuara të vjedhura.   

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga ky shtetas. 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.