Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në një fluturim të “Air France”, me nisje nga Parisi dhe destinacion final Gjenevën në Zvicër.

Sipas The Times, dy pilotët e këtij fluturimi janë përleshur me njëri-tjetrën, me autoritetin e aviacionit që ka vendosur më pas t’i pezullojë të dy.

Airbus A320 po ngjitej pas nisjes nga aeroporti Charles de Gaulle kur bashkë-piloti refuzoi të kryente një udhëzim nga kapiteni. Njëri prej të dyve ka goditur tjetrin dhe sipas raportimit të gazetës La Tribune janë kapur prej fyti.

Sipas një raporti, i cili u vërtetua nga pilotët e tjerë, njëri nga burrat i përplasi në fytyrë kolegut të tij një tabelë të rëndë. I alarmuar nga zhurma e përleshjes, ekuipazhi i kabinës u kërkoi pilotëve t’i linin të hynin në kabinë.

Ndërkohë, “Air France” tha se sjellja e tyre ishte krejtësisht e papërshtatshme.

Incidenti ka ndodhur në qershor, por u bë publik disa ditë pasi “Air France” u akuzua nga agjencia shtetërore e aksidenteve ajrore dhe sigurisë – Bureau d’Enquetes et d’Analyses (BEA) – për tolerimin e një kulture të shkeljes së rregullave nga pilotët.