Nga Dr. Bledar Kurti
Sot SHBA feston Ditën e Kushtetutës. Më 17 shtator 1787 delegatët në Konventën e Filadelfias firmosën Kushtetutën e SHBA, dokumentin më jetëgjatë deri më sot, ndërkohë me tekstin më të shkurtër që ekziston nga të gjitha kushtetutat e vendeve të tjera, të cilat u bënë me një të tillë duke marrë shembull atë të SHBA.
SHBA është shembulli i demokracisë në veprim për mbarë globin. Por, eksporti më i rëndësishëm i Amerikës në botë ka qenë Kushtetuta e saj. Ajo u hartua si kushtetuta e parë në një dokument të vetëm. Është dokumenti me jetëgjatësinë më të madhe. Dhe gjatë dy shekujve të fundit çdo komb e ka pranuar nevojën dhe vlerën e të pasurit një kushtetutë. Dhe në rastet kur vendet kanë hartuar një të tyren, referenca ka qenë pikërisht Kushtetuta Amerikane. Madje ka pasur shumë përpjekje për të importuar Kushtetutën dhe sistemin e qeverisjes së SHBA-së dhe për t’i zbatuar ato në pjesë të tjera të botës, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ka ardhur për faktin se Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes amerikane janë pasqyrim i mentalitetit, vlerave dhe identitetit amerikan. Shumë vende, veçanërisht ato në Amerikën Latine, u përpoqën të imitonin qeverinë dhe Kushtetutën e SHBA, por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat pësoi gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara dhe gjashtë presidentë të vrarë midis viteve 1826 dhe 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington i Amerikës së Jugut, vdiq një idealist i zhgënjyer nga dështimi për të zbatuar kushtetutën e vendit të tij, të modeluar sipas asaj amerikane. Arsyeja e dështimit nuk ishte gjë tjetër veçse fakti se Kushtetuta Amerikane u hartua për popullin dhe shoqërinë amerikane, e cila qëndron e bazuar mbi disa parime të caktuara.
Kushtetuta e SHBA-së ka një sërë amendamentesh specifike për të drejtat e njeriut të njohura si Bill of Rights. Hartuesit dhe ratifikuesit e Kushtetutës së SHBA-së i mësuan botës se nuk mund të ketë kushtetutë pa një seksion të veçantë që rendit të drejtat individuale.
Gjithashtu, në hartimin e Kushtetutës amerikane, u krijua një emër dhe ofiq i ri që nuk kish ekzistuar më parë: Presidenti. Për herë të parë në histori u krijua figura dhe detyra e Presidentit. Një shembull një u mor më pas nga shtete të tjera.
Kushtetuta i dha ofiqit të Presidentit kompetencën të ishte “Komandanti i Përgjithshëm i Forcava të Armatosura dhe Marinës, të bënte falje, të nënshkruante marrëveshje me kombe të tjera (nën këshillimin e Senatit), si edhe të caktonte ambasadorë, konsuj, gjyqtarë të Gjykatës Supreme.” Presidenti ishte drejtues lufte por nuk mund të shpallte luftë dhe as të paguante për luftën pasi këto pushtete i kishte legjislativi.
Kushtetuta i jepte legjislativit, pushtetit me shumë individë më shumë kompetenca, ndërsa ekzekutivit, pushtetit që drejtohej nga një njeri i vetëm shumë pak prej tyre.
Në këtë kushtetutë Presidenti i SHBA ka më pak pushtet se pushtetet e tjera. Në fakt, themeluesit e kushtetutës nuk lejuan që një njeri i vetëm, apo edhe një grup njerëzish të mernin në dorë fatet e një kombi. Kjo do ndryshonte më vonë në shekullin e njëzetë me zgjedhjen e drejtëpërdrejtë të senatorëve dhe me pushtetet që do i kalonin presidentit, sidomos shpallja e luftës pa miratimin e Kongresit, të cilat do e bënin një individ të vetëm njeriun me pushtetin më të madh në SHBA dhe si rrjedhojë edhe në botë.
Kushtetuta amerikane ka një ndarje pushtetesh e cila funksionon në mënyrë të përkryer. E jo vetëm kaq, por qeverisja amerikane ka një dinamikë dhe një formulë rotacioni të paprecedentë.
Përpjekjet e etërve amerikanë për të mos lejuar asnjë individ të bëhej mbret apo Zot duken qartë në ekuacionin e rotacioneve të kongresmenëve, senatorëve, kolegjit elektoral, dhe mandatit të gjykatësve të Gjykatës Supreme.
Themeluesit e Kushtetutës caktuan që pushteti legjislativ, Kongresi, të përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Në Dhomën e Përfaqësuesve çdo shtet do dërgonte një numër përfaqësuesish sipas numrit të popullatës së çdo shteti. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga çdo shtet pavarësisht numrit të popullatës. Kjo u bë për të ruajtur balancën midis demokracisë popullore dhe drejtimit të elitave.
Për më tepër kushtetuta vendosi se zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të bëhen çdo dy vjet, për President çdo katër vjet, për Senat çdo gjashtë vjet, ndërsa mandati i gjykatësve të Gjykatës Supreme të jetë i përjetshëm në mënyrë që gjykatësit të mos ndikoheshin nga rotacionet politike. Në këtë mënyrë kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit.
Por, sikur të mos mjaftonte kjo ndarje, edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo e presidentit kalonte përmes një procesi rotacioni edhe më filtrues. Neni 1, Pika 3, e Kushtetutës së SHBA thotë: “Senati do ndahet në tre Kategori. Karriget e Senatorëve të Kategorisë së Parë do jenë të lira në përfundim të vitit të dytë, dhe Kategoria e dytë do përfundojë në vitin e katërt, ndërsa Kategoria e tretë në vitin e gjashtë.” Ndërsa Presidenti, me mandat katër vjeçar, nuk do zgjidhej drejtëpërdrejtë nga populli por nga një grup përfaqësuesish, që njihet si Kolegji Elektoral, nga çdo shtet.
Etërit amerikanë krijuan një Republikë të bazuar mbi parimet më të shëndosha të demokracisë.
Sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik. Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është tërësisht e ndryshme nga vendet e tjera, sado demokratike qofshin ato. Asnjë shtet tjetër nuk është kaq i obsesuar me ndarjen e pushteteve si në Amerikë. Në sisteme presidenciale dhe parlamentare të ngjashme përsa i përket ndarjes horizonatale të pushtetit është presidenti, parlamenti apo kryeministri ai që kanë pushtet mbi të tjerat. Edhe një institucion kolegjal si parlamenti mund të shndërrohet në absolutizëm pasi si kryeministri ashtu edhe ministrat e qeverisë dalin nga parlamenti për aq kohë sa ka një shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare nuk has aq shumë vështirësi sa presidentët amerikanë për të shndërruar në ligje propozimet e tyre. Qeveria paraqet direkt legjislaturën e vet në parlament. Zakonisht kontrollon kalendarin dhe axhendën legjislative. Situata është tërësisht ndryshe në sistemin amerikan. Axhenda legjislative nuk kontrollohet nga presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë më shumë produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit sesa Kongresit dhe Presidentit. Ky sistem balancash e ka bërë SHBA vendin më të zhvilluar dhe udhëheqës në botë.
E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një.
Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta!
Vendi me diversitetin më të madh njerëzor por të gjithë të bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur! “Nga shumë, një” është një markë unike amerikane e cila u arrit falë atij dokumenti që u firmos në Filadelfia më 17 shtator 1787, Kushtetutës, për të cilën Presidenti dhe zyrtarët e lartë të SHBA betohen në marrjen e detyrës se do ta respektojnë, ruajnë e mbrojnë me të gjithë forcën dhe aftësinë e tyre.