Liderët e Bashkimit Evropian vendosën të hartojnë një listë sanksionesh ndaj Turqisë, në përgjigje të eksplorimeve të veprimeve të saj në Mesdheun Lindor, ku Ankaraja ka kryer eksplorime për gaz në ujërat e Greqisë dhe Qipros.

“Turqia është angazhuar në veprime të njëanshme dhe provokime dhe ka përshkallëzuar retorikën e saj ndaj BE-së, shteteve anëtare të bllokut dhe krerëve evropianë”, thuhet në deklaratën e publikuar pas diskutimeve mbi këtë çështje, të zhvilluara në kuadër të Samitit të Brukselit.

“Veprimet e njëanshme dhe provokimet në Mesdheun Lindor ende po vazhdojnë, përfshirë edhe në zonën ekonomike të Qipros”, theksohej aty.

Një diplomat tha për agjencinë AFP se sanksionet do të kenë në shënjestër individë dhe se blloku do të ndërmarrë edhe masa të tjera, “nëse Turqia vazhdon me veprimet e saj”. Presidenti francez, Emmanuel Macron e mirëpriti vendimin e BE-së  duke thënë se do të kishte zhgënjim në Greqi dhe Qipro, nëse liderët evropianë nuk do të pajtoheshin për një embargo të armëve apo për sanksionim të sektorëve të ekonomisë turke. Ministria e Jashtme turke e cilësoi listën e sanksioneve si “të njëanshme” dhe “të paligjshme”. Ndërsa vetë Rexhep Tajip Erdogan ndërkohë u shpreh se “Turqia nuk shqetësohet për sanksionet që do të ndërmerren nga Brukseli”.

“Bashkimi evropian asnjëherë nuk na ka trajtuar me ndershmëri. BE-ja nuk ka mbajtur premtimin që na ka dhënë, por ne gjithmonë kemi qenë të durueshëm dhe ende jemi”, tha Erdogan.

Greqia, me mbështetjen e Francës ishte nismëtarja e vendosjes së sanksioneve më të ashpra ndaj Ankarasë, me pretendimin se Turqia vazhdimisht kryen eksplorime për gaz në ujëra të kontestuar. Përveç kësaj, Turqia po ashtu është akuzuar se ka shkelur embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara për Libinë, shtet ku Ankaraja mbështetë qeverinë në Tripoli në luftën civile.