Nga Mikel Nushi
Kur osmanët e pushtuan Durrësin në vitin 1501, shënuan në kronikat e tyre se pushtuan një Konstandinopojë të dytë. Ata e përshkruanin Durrësin si një qytet me ndërtesa antike dhe me mure të forta e të larta.
Kjo të bën të mendosh për madhështitë arkitektonike që kishte Durrësi deri në atë kohë. Ai ishte për shumë shekuj një qytet i një rëndësie të veçantë për një kompleks arsyesh.
Nga burimet historike, por edhe nga provat arkeologjike, dëshmohet qartë se që nga periudha romake, kur filluan investime të mëdhaja urbane, e deri në mesjetën e vonë, në prag të pushtimit osman, Durrësi ishte i pasur me ndërtesa publike madhështore, si edhe ndërtesa fetare e rezidenciale.
Ciceroni, i cili ka jetuar për disa kohë në Dyrrahun e shekullit I Para Erës Sonë, shprehej se ky qytet ishte një “admirabilis urbs” (qytet i admirueshëm), për shkak të tempujve, monumenteve dhe statujave.
Shpërfytyrimi i një prej qendrave të Mesdheut
Fill pas pushtimit osman, Durrësi u braktis masivisht nga banorët e tij, duke u rrudhur në një qytezë apo fshat, i cili në termat e sotëm hapësinorë shtrihej nga “Torra veneciane” deri tek godina e bashkisë, aty ku duket edhe sot një pjesë e murit fortifikues të ngritur prej pushtuesve.
Hapësira urbane e qytetit bizantin e mbetur jashtë këtij muri nuk përdorej më, duke u lënë të rrënohej, apo duke shërbyer shpesh si burim materialesh ndërtimore. Ndërsa në pjesën e mbetur jetesa vazhdoi. Qyteza filloi të marrë pamjen e një qendre të banuar tipike mesjetare lindore, me planimetri organike, e jo të rregullt.
Zakonisht ndodh që në hapësirat e banuara që ka vazhdimësi jetese për një kohë të gjatë, të cilat janë fryt i shtresëzimeve të periudhave të ndryshme. Në historinë e urbanistikës njihen plot raste të tilla, ku rrënojat antike kanë mbijetuar në epokat pasardhëse, falë ripërdorimit për nevoja jetësore, duke ruajtur formën e tyre. Ky është pjesërisht edhe rasti i Durrësit, në hapësirën urbane të periudhës osmane.
Në rastin e tij, kur kalimi nga njëra epokë në tjetrën ishte traumatike dhe kur orientimi kulturor ndryshoi rrënjësisht brenda pak kohësh, është e vështirë të gjenden toponime të trashëguara nga periudha e mëparshme, të cilat do të na ndriçonin mbi ekzistencën e monumenteve antike e mesjetare.
Por nga ana tjetër, qyteti ruajti disa elementë nga strukturat e mëparshme urbane, duke na lënë disa dritare të ngushta për të hedhur shikimin në të kaluarën e tij.
Gjurmët e së shkuarës fiksuar në celuloid
Sot me vështirësi mund të gjejmë të dhëna gjeometrikisht të sakta për urbanistikën e të gjithë Durrësit osman, por kemi mundësinë të studiojmë disa fotografi ajrore, të realizuara për qëllime ushtarake gjatë Luftës së Parë Botërore. Ato hedhin dritë mbi urbanistikën e periudhës së fundit osmane në Durrës, para ndryshimeve rrënjësore urbanistike të vitit 1927 e tutje.
Në një foto ajrore të realizuar nga marina italiane në vitin 1918, duken kufijtë e qytetit brenda mureve bizantine e osmane, si edhe zgjerimi i tij me lagjen e jashtme (Varosh), që filloi në fundin e shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX.
Duke qenë se periudha osmane për Durrësin dhe jo vetëm, ishte një periudhë e lëvizjeve të ngadalta, e progresit thuajse të padukshëm, sidomos në shekujt e parë të pushtimit, mendojmë se planimetria e periudhës së fundit osmane ruan tipare themelore të të gjitha katërqind viteve të pushtimit.
Ajo që vihet re lehtësisht në planin e qytetit është një rrugë kryesore e cila lidhte “Portën e Detit” (sot nuk ruhet) pranë skelës, me “Portën e Madhe” (sot nuk ruhet), ku fillonte edhe Lagja Varosh.
Kjo rrugë ishte sinusoidale me tre kurba të mëdha. Përgjatë saj kishte disa ndërtesa të rëndësishme, me funksione të ndryshme, siç ishin Pallati Qeveritar (sot nuk ruhet), Pallati i Drejtësisë (sot nuk ruhet), një hotel (Hotel Royal, sot nuk ruhet), një xhami (Xhamia e Kaje Hanëmit, sot nuk ruhet), një hamam (hamami që ruhet edhe sot) dhe ambiente të ndryshme shërbimi.
Në të dyja anët e rrugës kryesore zhvilloheshin sipërfaqet e zëna nga banesat, si edhe pranë tyre Xhamia Fatih, Kisha Ortodokse e Shën Spiridhonit (sot nuk ruhet) dhe Kisha Katolike e Shën Luçias.
E gjithë kjo sipërfaqe banimi nuk ka një kuptim të dukshëm të rregullimit urban, përveç disa ndërtesave e rrugicave që dalin pingul nga rruga kryesore. Është fatkeqësi që kemi humbur kaq shumë nga trashëgimia jonë, por edhe një apel për të ndryshuar kurs për ato pak që kanë mbetur.
Po të vëzhgohet me kujdes në vendin ku gati 50 vjet më vonë do të zbulohej amfiteatri i harruar romak, kuptojmë se zhvillimi planimetrik i banesave ka një kuptim logjik, i cili përkon me perimetrin e amfiteatrit.
Kjo nënkupton se banorët e Durrësit në periudhën osmane edhe pse nuk e njihnin ekzistencën e tërësisë së tij, kanë shfrytëzuar strukturat e amfiteatrit si themele për ngrehinat e tyre të reja.
Ky fenomen dihet që ka ndodhur në periudhën osmane pasi Marin Barleti në shekullin XVI dëshmon se në Durrës, “ndodhet një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri të admirueshme”. Këto janë fakte tashmë të ditura, por po të shikohet me syrin kritik, plani i qytetit mund të rezervojë të papritura.
Hija e një momumenti madhështor të fshehur në themelet e banesave
Referuar fotos së vitit 1918, në anën lindore të rrugës kryesore, më në jug të grupit të shtëpive mbi amfiteatër, ndodhet një grumbull tjetër shtëpish, të organizuara në logjikën e një perimetri rrethor mes tyre.
Ky është një fakt i lexueshëm përmes fotove ajrore, ashtu si në rastin e amfiteatrit. Ky organizim planimetrik shtëpish në trajtë gati rrethore, ka një diametër rreth 100 deri në 120 metra.
Por jo të gjitha banesat janë të orientuara drejt qendrës së këtij rrethi, disa prej tyre janë të vendosura në mënyrë paralele mes tyre, duke formuar një shkallëzim, por gjithësesi e ruajnë formën e perimetrit mes së gjithave.
Krahasimisht me këtë edhe në rastin e banesave mbi perimetrin e amfiteatrit, dallohet një fenomen i ngjashëm. Për arsye nga më të ndryshmet, ndërtuesit nuk kanë ndjekur saktësisht muraturat e amfitearit. Sot anomalia në fjalë e rrjetit urban nuk duket më për shkak të transformimeve të shekullit XX.
Mundësia për një tjetër monument madhështor
Kjo sipërfaqe toke që sot mban mbi të dhjetra ndërtesa, ka pasur trajtën e një rrethi dhe ngre shumë pikëpyetje nëse nëntoka e saj fsheh një tjetër thesar arkeologjik në nivelet e amfiteatrit romak. Megjithatë ende nuk ka asnjë provë arkeologjike për këtë hapësirë pranë Bulevardit Epidamn.
Por dyshimet mbeten të arsyeshme sepse rasti është jashtëzakonisht i ngjashëm me zbulimin e amfiteatrit romak dhe përkon me rrjedhën logjike të zhvillimit urban mbi strukturat arkeologjike të qytetit.
E gjitha kjo na lejon të hamendësojmë mbi trashëgiminë e ndonjë elementi të strukturës urbane para osmane. Gjithmonë duke iu referuar rastit të amfiteatrit, i cili sipas dëshmisë së Barletit dukej mirë dhe kuptueshëm në shekullin XVI.
Nëse heqim një paralele të ngjashme edhe për këtë rast, ajo mund të ketë patur elementë të dukshëm mbi sipërfaqe në një kohë të përafërt me atë të ndërtimit të shtëpive të para mbi amfiteatër, e që shfrytëzuan strukturën e tij për lehtësi dhe ekonomi ndërtimi.
Kjo mund të ketë ndodhur në vitet e para pas rrënimit nga pushtimi, kur qyteza e Durrësit shfaqi shenjat e para të rindërtimit dhe kur burimet e kufizuara financiare nuk lejonin ndërhyrje të konsiderueshme urbanistike, por kryesisht përshtatje.
Ripërdorimi ndodh zakonisht në periudha relativisht të varfëra, siç ishte ajo e shekujve të parë të regjimit osman. Në rast se shtëpitë e kohës osmane janë ndërtuar mbi një strukturë pararendëse, ajo duhet të ketë qenë vërtet e rëndësishme dhe me një madhësi të konsiderueshme.
Duke mos pasur asnjë burim tjetër përveç ngjashmërisë me amfiteatrin, nuk mundet të flasim as për periudhën dhe as për funksionin e këtij monumenti të mundshëm. Kështu që mund të hamendësojmë vetëm duke iu referuar formës dhe përmasave të para nga plani ajror.
Po të shikohet edhe më me vëmendje, organizimi planimetrik i shtëpive duket se ka jo plotësisht formën e një rrethi, por atë të një elipsi me përmasa afërsisht 100 x 120 metra.
Diametri i madh i këtij elipsi po të zgjatohet nga ana jugore e qytetit përkon me portat e murit romak (i cili sot ndodhet poshtë pallatit të njohur si “Fly”) dhe ku mendohet të jetë një nga pikat hyrëse në atë periudhë.
Gjithashtu pak metra nga portat romake ndodhej një kullë drejtkëndore mesjetare, pjesë e fortifikimit të qytetit, që funksiononte edhe si portë hyrëse në qytet (Porta e Detit). Pra diametri i madh orientohet drejt një pike historikisht nevralgjike.
Ndërsa po të zgjatojmë aksin në drejtim të veriut do t’i afrohemi shumë një pike tjetër nevralgjike, Portës së Madhe. Edhe kjo ishte një kullë drejtkëndore që funksiononte edhe si portë hyrëse.
Më tej zgjatimi i diametrit të vogël të elipsit përputhet me një rrugicë, e cila edhe sot e ruan atë orientim. Të gjithë këto elementë mund të përbëjnë edhe vetëm një rastësi, për sa kohë ende nuk kemi prova arkeologjike, por indiciet e formës së saj nxisin për kërkimin e një strukture arkeologjike të mundshme, me rëndësi për kohën.
Mundet që këto pika nevralgjike të kenë mbijetuar në periudha të gjata kohore me qenë se Durrësi është një qytet i ngritur mbi vetveten. Ndoshta kemi të bëjmë me një shesh publik ose pas ndryshimit të funksionit të këtij sheshi, me ndërtimin e shtëpive mbi të, rruga që lidhte dy pikat nevralgjike u spostua për të formuar rrugën sinusoidale osmane.
Duke qenë se linja e murit rrethues bizantin të Shekullit VI e përfshin brenda tij dhe i kalon tangencialisht, ashtu si me amfiteatrin, ndoshta kjo na çon në një periudhë edhe më të hershme se vetë rrethimi. Ose ky ndërtim i mundshëm i është përshtatur këtij rrethimi.
Të gjitha mundësitë janë të hapura, deri sa arkeologjia të thotë fjalën e saj, megjithëse fatkeqësisht gërmimet arkeologjike janë një dukuri jo intensive në Durrës. Rastet e monumenteve dhe organizimeve planimetrike rrethore ose pothuajse rrethore të këtyre përmasave, njihen në historinë e arkitekturës në periudha të ndryshme.
Ato shfaqen në trajtën e shesheve publike, amfiteatrove, portikëve, kolonadave, mauzoleumeve, pjesërisht teatrove dhe strukturave të tjera të rëndësishme publike.
Duke iu referuar burimeve historike dhe elementëve arkitektonik të zbuluar kudo në Durrës, mund të themi se Durrësi ka pasur një periudhë të gjatë shkëlqimi në arkitekturë dhe ndërtimtari.
Është e vështirë të besohet se amfiteatri, forumi rrethor (bizantin), termat romake, dhe katedralja (nën prefekturën e sotme) janë të vetmet monumente publike të Durrësit antik e mesjetar. Ka ende shumë për të zbuluar!
Mendojmë se ekziston mundësia që me rastin e identifikuar pranë Bulevardit Epidamn të kemi rënë në gjurmët e një strukture të panjohur deri më sot. Ndërtimi i shtëpive të vendosura në trajtë gati rrethore mund të jetë një tjetër monument i Durrësit që pret të zbulohet, por shkenca e arkeologjisë është e vetmja mundësi që e vërteton ose e hedh poshtë këtë dyshim./Amfora.al