Në jetën e tij, Paolo Rosi, ka kaluar momente të mrekullueshme, ndër to që kushdo do të kishte ëndërruar t’i shijonte, por në të njëjtën kohë edhe të errëta. Ato më ndriçueset do të mbeten përjetë tripleta ndaj Brazilit në Botërorin e vitit 1982, e cila korrespondon edhe me një ndër momentet më të errëta dhe zhgënjyese për popullin brazilian, duke qenë se “Seleçao” e atij viti konsiderohej dhe pranohej nga të gjithë se ishte edhe më e mira e të gjitha kohërave. Por pikërisht, lidhur me një fakt të tillë dhe me dhimbjen e përjetuar nga brazilianët, Paolo Rosi, në një intervistë të shumë viteve më parë kujtonte një episod që i kishte ndodhur në vitin 1989.

“Kishin kaluar 7 vite tashmë nga Botërori i Spanjës, por për brazilianët, humbja ndaj Italisë kishte mbetur një plagë e hapur. Ndodhesha në Sao Paolo, ku më kishin ftuar të luaja në një turne për ish-futbollistë. Marr një taksi dhe shoferi i saj, që nga momenti që kisha hipur dhe pasi kishte bërë disa qindra metra vazhdonte të më shihte nga pasqyra. Papritur frenon me forcë dhe nis të ulërasë si një i çmendur, duke më kërkuar që të zbres nga taksia e tij, me tone kërcënuese.

‘Ti je xhelati i Brazilit, personi që më ka bërë të vuaj si i çmendur dhe më ke futur në shpirt një dhimbje të madhe. Atë që më ke shkaktuar në Spanjë dhe jo vetëm mua, por një kombi të tërë nuk do ta fal kurrë. Prandaj urgjent jashtë nga taksia ime. Shpejt! Jashtë!”

Kjo ishte një ndër anektodat e karrierës së Paolo Rosit, një personazhi që kishte sa shumë admirues, po aq edhe njerëz që nuk e donin. Sepse fundja, duke parë atë ndjenjë të fortë që dhuron futbolli, është normale që kur i shënon një ekipi kundërshtar, aq më tepër një sulmues, vështirë se tifozët e skuadrës tjetër mund të ta falin. Por ndoshta sot, edhe ai taksisti që i kishte kërkuar të dilte me tone kërcënuese nga makina e tij në Brazil, pa dyshim që do ta ketë nderuar shpirtin dhe figurën që përfaqësonte Paolo Rosi, si futbollist, por mbi të gjitha si person. Lamtumirë Paolo!