Në emisionin “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, ka qenë e ftuar Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së Jola Hysaj e cila ka folur gjatë për jetën e saj private dhe profesionale. Ajo gjatë intervistës ka treguar se është shumë besimtare e fesë myslimane dhe për të Nata e Kadrit është mjaft e veçantë sepse ndodhitë më të rëndësishme të jetës së saj kanë qenë të lidhura me këtë ditë, për këtë arsye edhe vajzës ia ka vendosur emrin Elkader.

“Kam një lidhje shumë të veçantë me Natën e Kadrit. Mund të them që ndodhitë më të rëndësishme të jetë sime dhe kur zbulova që isha shtatzënë ishte pikërisht për Natën e Kadrit. Edhe kur ime motër bëri një ndërhyrje kirurgjikale shumë të madhe në atë kohë, ndër të herët e para që vendosej stenda, ishte Nata e Kadrit ajo që më dha mua sigurinë që operacioni do të shkonte shumë mirë dhe shkoi përtej pritshmërie të vetë profesorëve.

Për mua kjo natë është nata e përcaktimit të fateve dhe është përcaktimi i Zotit. Në momentin që partneri im më tha që unë dua që t’i të jesh nëna e një fëmije, në atë moment unë me gjithë atë rigorozitetin tim që është qesharak herë pas here, i thashë shiko do ta bëjmë si qytetarët, do ta bëjmë si europianët, do shkojmë të bëjmë analizat dhe kur shkoj atje, mjekët më thonë që është e pamundur që në fazën që ti je të ngelesh shtatzënë, ndërkohë që unë isha shtatzënë.

Këtë e zbulova vetëm 2 -3 javë më vonë dhe isha aq e nevrikosur me mjekët sa për një javë kisha përdorur antibiotikë dhe ndihesha shumë keq me veten se çfarë do të ndodhte me foshnjën, por faleminderit Zotit çdo gjë shkoi mirë dhe jam shumë e lumtur për këtë pjesë”, është shprehur Jona Hysaj.