Vitet e fundit, kanceri i gjirit ka nisur të shfaqet edhe tek moshat e reja.
Megjithëse është një sëmundje që zakonisht prek gratë mbi 40 vjeç, nuk mungojnë rastet e pacienteve që në të njëzetat e tyre diagnostikohen me këtë sëmundje.
“Rasti në moshë më të re që ne kemi diagnostikuar dhe trajtuar në spitalin e Durrësit është një grua 28-vjeçare”,- na thotë dr Denis Godaj.
Kapja në kohë që në fazat e para të sëmundjes është decizive për ecurinë e mëtejshme të trajtimit mjekësor. Ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave për të kryer kontrolle periodike ka sjellë për pasojë rritjen e numrit të pacienteve që diagnostikohen me kancer gjiri.
Në spitalin e Durrësit, prej 4 vitesh kryhet trajtimi i plotë i kancerit të gjirit nga diagnostikimi, ndërhyrja kirurgjikale, kemioterapia etj duke përmbyllur kështu ciklin e trajtimit të një pacienteje të sëmurë.
Në kuadër të tetorit rozë, në këtë spital mamografia ofrohet me dy turne, ndërsa gjatë gjithë vitit ajo ofrohet falas.
“Gjatë gjithë muajit tetor mamografia është e hapur, paradite dhe pasdite. Kushdo që ka dëshirë mund të vijë të paraqitet në spital dhe të realizojë mamografinë”,- thotë dr Godaj për “DurrësLajm”.
Doktor Denis Godaj thekson se vitet e fundit ka ndodhur një revolucion i vërtetë lidhur me metodat e kurimit të kancerit të gjirit, për këtë arsye numri i rasteve fatale ka pësuar rënie të ndjeshme.
“Tashmë kemi shumë pak raste kur pacientët humbin jetën. Problematike mbeten rastet kur pacienti paraqitet në stadin e katërt të evoluimit të sëmundjes, kur ajo ka lëshuar metastazat. Në të gjitha rastet e tjera, kur pacientet diagnostikohen në stadin e parë, të dytë dhe të tretë, shanset janë shumë të mira për kurimin e suksesshëm të sëmundjes”.
Kontrollet e para periodike rekomandohet të nisin rreth moshës 40 vjeç, por për gratë me histori familjare me kancer gjiri rekomandohen në një fazë më të hershme.
M.B.