BUJAR QESJA

Në gjimnaz e kishte emrin Bepin dhe më pas u përshtat në gjuhën amtare Zef. Por gjithnjë ne shokët e klasës i thonim Bepin, apo shkurt Pino. Mbase version italian kjo, por ska rëndësi. Ajo që na djeg, është largimi nga jeta. Mbaj mënd që kur ishim në maturë, mësuesi ynë i fizkulturës Lut Bagoj thonte jo rrallë:

-Mbani mënd vajza dhe djem! Kudo që të shkoni, miqësinë dhe shoqërinë e gjimnazit, nuk keni për ta gjetur asnjëherë. Do të më kujtoni për këtë.

Dhe koha i dha të drejtë profesor Bagoj-it. U rritëm. Mbaruam shkollën e lartë. Provuam shumë punë në jetë. Dhe tash jemi në pension, pavarësisht se kontaktin me punën nuk e kemi ndarë. Bëmë shumë miq. Bëmë shumë shokë. U martuan dhe u bëmë me fëmijë. Arritëm të bëhemi edhe gjyshër. Por shokët e gjimnazit, asnjëherë nuk u harruan. Edhe sot teksa poi hidhnim një dorë dhe, shokut të hershëm të gjimnazit Bepin Tushës, m’u kujtua thënia profetike e Rexhep Bagojit:

-Shoqëria e gjimnazit nuk harrohet.
Naiviteti dhe miqësia e asaj kohe, mbetet steril, e pastër, kristal, e kulluar.

Në këtë ditë të ndarjes, u takuam katër nga shokët e gjimnazit. Isha unë, Pëllumb Binjaku, Kristofor Pastërma dhe Astrit Zeneli. Mësova se Bepini kishte kaluar ishemi cerebrale. Dhe mbase një goditje e dytë duhet të jetë bërë shkaku, i ndalimit përfundimitar të rrahjeve të zemrës. Kur më dhanë lajmin u trondita. Pavarësisht se jeta na ndau dhe na dha rrugë të ndryshme, miqësia dhe shoqëria e jonë nuk ndryshoi. Sa herë takoheshim, kujtonim me mall kohën e rinisë tonë, që është më e arta. Dhe me shaka më thoje:

-Do ta provosh Buje të bëjmë 50 metra vrap, se cili do të dalë i pari!

Dhe e kisha të gjallë kur ti Bepin, unë, Pëllumbi dhe Fori, bënim një start të improvizuar dhe ja jepnim vrapit, m’u në mes të bulevardit. Ti dilje gjithnjë i pari. Ishe shumë i shpejtë.

Këtë kujtoja, kur që po mbaja mbi krahë arkivolin tënd. Ishte trupi i një shoku pa jetë, mbi shpatullat e një shoku që jeton, por me dridhjen, dërrmimin shpirtëror se një prej nesh të gjimnazit “Gjergj Kastrioti” të vitit 1969, u largua nga bota e gjallë.

Isha mësuar të shikoja tek kafja, m’u përballë stacionit të autobuzit të Plazhit. Ashtu i qetë dhe paksa i vetmuar në rehatinë tënde. Në tavolinë të shikoja gotën e ujit, taketuken e cigares dhe filxhanin e kafesë ekspres. Takonim. Përshëndeteshim. Nuk qendronim si më parë. Por asgjë nuk kishte ndryshuar ndërmjet nesh në shoqëri, miqësi dhe kujtime.

U bashkuam katër shokë dhe nuk të lamë vetëm. Të shoqëruam në banesën e fundit. Nuk kishim kohë dhe adresat e shokëve të tjerë të gjimnazit na mungonim. Donim të lajmëronim Hajg Zaharianin, Bujar Bajramin, Vilson Ibrahimin, këto që i dimë që janë këtu. Nuk mundëm. Por të paktën nuk të lamë vetëm.

Kam shkruar shumë për miq e shokë, që janë larguar nga jeta. Po për ty, shoku i mirë i gjimnazit, ndjej dhëmbje. Jam i këputur, e zemra më dridhet. Bepin i dashur! Kujtoj momentet kur vija në shtëpinë tënde. Ishte fare pranë shkollës “Gjergj Kastrioti”. Eh si na prisnin prindërit e t’u Filipi dhe Luçi, si fëmijët e tyre! Filip Tusha, ky rrobaqepës i njohur tek mapo qendrore e qytetit, fliste aq ëmbël shkodranishten, sa që edhe tani nuk më ndahet.

Qante motra e jote Eleonora (Lola)! Kishte vajtuar më parë të shoqin, shokun tonë të rinisë Mihal Milon, djalin e zysh Sinës. Ofshama e saj mbetej tronditëse. Bepin ti ishe më i gjati ndër ne. Humori yt, mbetet nga pjesët më të bukura që na ke lënë. Jetove pa bujo. Bëre një jetë më shumë se modeste. Mbetesh nga ata intelektualë dhe kuadro në Durrës, që meriton mirënjohjen.

Pasi mbarove shkollën e lartë për inxhinjeri pyjesh, u emërove në fabrkën e mobiljeve në Durrës. Fabrikë shumë e njohur, duke mbajtur peshë kryesore në prodhimet e larmishme, tërheqëse dhe me cilësi. U caktove edhe kryeinxhnjer. Dhe karierën e mbylle si Drejtor i kësaj fabrike. I urtë, i qetë, më shumë dëgjoje se sa flisje, i gjindshëm, janë disa nga cilësitë e tua, që evidentonin portretin tërheqës të shokut tim të gjimnazit.

Edhe pas 90-tës nuk u dorëzove. Provove të punosh në sipërmarrje private dhe sukseset i pate kurdoherë bashkëshoqërues. Së bashku me Pëllumb Binjakun dhe Kristofor Pastërmën, të kujtuam, e të kujtuam tërë kohën. Nxorrëm disa foto të gjimnazit dhe vendosnim gishtin tregues tek ty duke thënë:

-Ja ku është Pepini këtu! Pranë ka Vilson Tereziun, Spiro Xhekën dhe Pëllumbin. Tek kjo tjetra është me Bilbil Bardhin, Besnik Toton, Agim Mezinin, Lushka Bllacën, Juli Laçin, Lutfije Kërçukun, Mimoza Kurilën, Kujtim Sevranin, Sokol Kallogjerin, Diana Kacanin, Fatmir Fishtën, Thoma Çyçjen, Liri Gjinalin, Eli Dedjan, Fajkat Kasin e të tjerë nxënës të klasës.

Të përcollëm sot për në strehën e përjetësisë, në këtë të premte të 21 tetorit 2022. Koha ishte e bukur. Dielli shkëlqente m’u si zemra e jote e ndjeshme, pasi miqësia që kishe me ne ishte e veçantë. Një erë e lehtë na lëvizte flokët, duke përkëdhelur kujtimet për ty. Nuk mendomin asgjë tjetër, veçse kohën e rinisë tonë, e mbushur me plot ndjenja dhe ëndërra.

Pas varrimit, kur u ndamë nga ty Bepin, apo Zefi ynë i shtrenjtë, me Pullën dhe Forin u ulëm të pimë një kafe. Ishte kafeja e dytë, që po konsumonin brenda pak orësh. Po heshtnim të tre. Mbi tavolinë na u çfaq një trup gjigand. Ishe ti. Kujtimet që kaluam së bashku mbeten të pacënuara, prandaj dhe na u duk se u çfaqe ti. Sipërfaqja e lëngut të kafesë filloi të lëvizë, si një valë e lehtë deti. Ishin lotët tanë.

Një dorë dhe për ty! Lamtumirë shok! Lamtumirë Bepini ynë! Në përjetësinë e kujtimeve do të mbetesh. Ikja jote na ligështoi. Prandaj mos-harresa, mbetet premtimi ynë. Jo pa shkak po vendos dy foto, për të mbajtur të gjallë kohën e rinisë së hershme. Janë kohët tona më të bukura..

Durrës: 21 tetor 2022

Pamja e parë: Zef Tusha në moshën 18 vjeçare.

Pamja e dytë: Nga e majta Zef Tusha, Kristofor Pastërma, Bujar Qesja dhe Pëllumb Binjaku. Durrës, 22 dhjetor 1974.