Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann thotë se Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet për t’u integruar në BE, tashmë që janë hapur edhe negociatat.
Në një takim në Këshillin e Integrimit, ku u prezantua nisja e edicionit të 7-të të Shkollës së Integrimit Europian në vendin tonë, ambasadorja Hohmann vlerësoi se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk është vetëm një proces teknik, por duhet përfshirja e të gjithë shoqërisë civile dhe qytetarëve.
“Jo vetëm që kemi filluar negociatat por përpara 10 ditësh pata mundësinë të prezantoja raportimin e KE për Shqipërinë. Me negociatat ne kemi filluar atë që njihet si procesi i analizës legjislative. Kjo është edhe faza e parë prandaj dhe ju do shihni këto faza të procesit. Proces i anëtarësimit në BE është shumë më shumë se sa procesi teknik, është një proces që duhet të përfshihet e gjithë shoqëria. Të gjithë duhet ta kuptojnë se çfarë po ndodh. Duhet parë se çfarë duhet bërë më tepër me reformat dhe prandaj raporti vjetor për Shqipërinë është i rëndësishëm. Të gjithë mund të shikojnë se çfarë ka ndodhur”.
Duke folur për progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ambasadorja e delegacionit të BE theksoi se duhet të ketë udhëheqje të fortë politike në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ajo që shikojmë në raport është shqyrtuar axhenda e reformave, ecuria e Shqipërisë. Ju keni lexuar që vlerësimi i përgjithshëm është që Shqipëria ka vijuar të përqëndrohet tek axhenda e reformave në BE. Por ato detyra që janë formuluar në raport duhet që të merren përsipër me përgjegjshmëri jo sa i përket zbatimit, por një proces i tërë që është e përfshirë jo vetëm qeveria, por edhe shoqëria civile, edhe kuvendi, edhe opozita. Presim të ketë udhëheqje të fortë politike sa i përket kësaj axhende dhe që vendi të drejtohet për të ecur sa më shpejt që të jetë mundur”.
Ndërkohë, ambasadorja Hohmann përmendi edhe lirinë e fjalës, si një aspekt për të cilin tha se është bërë shumë pak përparim dhe që duhet të përmirësohet. E në këtë aspekt, Shqipëria duhet të punojë akoma më shumë për të plotësuar refomat e nevojshme.
“Ka dhe fusha ku ka patur pak ecuri ose aspak, që është liria e fjalës. Pritet mbrojtje më e mirë e gazetarëve, të fuqizohet pavarësia e transmetuesit publik, si dhe qëndrueshmëria financiare në sektor. Nuk ka hapësirë këtu për interpretim pasi hapësirat janë bërë të qarta. Por në këtë fazë që ne jemi BE pret që Shqipëria të ridyfishojë përpjekjet e veta për të trajtuar këto reforma kyçe, por edhe që të sjellë në tryezë të gjithë aktorët e rëndësishëm, edhe nga shoqëria civile. Nga ky këndvështrim, Shkolla e Integrimit Evropian është për të rritur ndërgjegjësimin”, deklaroi ambasadorja e BE.