Këshilli Bashkiak Shijak ka miratuar në mbledhjen e radhës emërtimin e aksit rrugor që lidh autostradën Durrës-Tiranë me rrugën Sukth-Shijak “Zenun Shala”.
Kryebashkiaku Elton Arbana, në fjalën e mbajtur me këtë rast, nënvizoi kontributin e madh që familja Shala dhe djemtë e saj kanë dhënë për qytetin e lindjes.
Zenun Shala, emrin e të cilit do të mbajë tashmë ky aks rrugor, ka punuar për dekada të tëra si specialist i ushqimit blegtoral në kooperativën e Shijakut. Për eksperiencën e fituar në punë dhe profesionalizmin e tij, Shala thirrej shpeshherë si specialist edhe nga femra “Dimitrov” në Kamzë.
Me një familje të madhe, të përbërë nga 5 djem dhe 6 vajza, Zenun Shala nuk harronte asnjëherë t’i edukonte të vegjlit e tij me edukatën dhe dashurinë për punën.
“Falë përkujdesjes së babait tonë dhe njëkohësisht këmbënguljes së tij për edukimin tonë, ne jemi sot të gjithë biznesmenë të suksesshëm”,– tregon njëri prej djemve të tij, Mustafa Shala, i nderuar me titullin “Nderi i qytetit të Durrësit”.
Falë ndihmës së familjes dhe fisit Shala, gjatë muajve të luftës së Kosovës janë strehuar prej tyre me dhjetëra familje kosovare.
“Pas tërmetit të 26 nëntorit dhe muajve të pandemisë, djemtë e familjes Shala kanë kontribuuar me ndihma në ushqime për dhjetëra familje të Shijakut”,- theksoi kryebashkiaku Arbana gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak.
Njëkohësisht, kryebashkiaku nënvizoi se falë djemve Shala, qytetarët e Shijakut dhe rrethinave përreth kanë mundur të përdorin rrugën e realizuar rreth 3 vite më parë me fondet e kësaj familjeje.
Në shenjë nderimi për kontributet e dhëna nga kjo familje për banorët e qytetit, Këshilli Bashkiak miratoi emërimin e këtij aksi “Zenun Shala”.





