Banorët e një pallati 12 katësh në lagjen nr.17 të qytetit të Durrësit i janë drejtuar redaksisë së DurrësLajm për të ngritur shqetësimin e tyre, që sipas qytetarëve ende nuk ka marrë zgjidhje pavarësisht ankesave, protestave të shumta dhe kontakteve me institucionet shtetërore.

Banorët e shoqërojnë denoncimin e tyre me foto nga ambiente të ndryshme të pallatit, ku duken qartë dëmet e shkaktuara nga tërmeti, shkresat zyrtare që kanë shkëmbyer me insitucionet qendrore dhe lokale si dhe akt ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit.

264 familje të këtij pallati të ndarë në 3 seksione kërkojnë që godina shumëkatëshe të klasifikohet me shkallë dëmi DS4 dhe jo DS3 siç figuron në bashki. Këshilli Bashkiak ka miratuar emrat e banorëve të pallatit për të përfituar grantin e dëmshpërblimit për DS3, por sipas qytetarëve ata nuk mund të bëjnë kompromis me sigurinë e jetës së tyre.

“Ne të drejtën tonë do ta kërkojmë deri në fund, për këtë të jenë të qartë të gjithë ata pushtetarë, njerëz me influencë, me familjarë “të fortë”. Të gjithë ata që luajnë bixhoz me jetët tona dhe të fëmijëve tanë, duhet të dijnë se nuk po kërkojmë lëmoshë, po kërkojmë një të drejtë themelore, sigurinë për jetën”,- shkruhet në letrën e banorëve të pallatit të ndërtuar nga firma DRANOVA sh.p.k.

Letra e plotë:

Të gjendur në udhëkryq edhe pas më shumë se një viti nga tërmeti i nëntorit 2019, po ju drejtohemi dhe ju për të na ndihmuar në bërjen publike të një ndër absurditeteve që ndodhin rëndomtë në vendin tonë.

Duke qenë një kohë e gjatë “lufte” me Institucionet, ndoshta materiali jonë do të jetë pak i gjatë.

Ne jemi banorë të një pallati në qytetin e Durrësit, të përbërë nga 3 seksione, me 12 kate secili, në total 264 apartamente, të ndodhur në lagjen nr. 17, ish URT, e ndërtuar nga firma DRANOVA sh.p.k. Pas tërmetit shkalla e dëmtimit në këte objekt ka qenë e jashtëzakonshme. Mure të dëmtuara deri në katet e sipërme, kolona dhe trare të zhveshur nga betoni, etj.

Nëpërmjet një akt konstatimi vizual, të bërë me datë 06.12.2019, nga Instituti i Ndërtimit, pallati u klasifikua DS3 dhe u la ky rekomandim: Të prishet muratura e dëmtuar dhe të bëhet një ekspertizë e hollësishme e strukturës b/a të objektit. Objekti është i klasifikuar i pabanueshëm dhe janë vendosur shiritat.  

Gjatë kësaj periudhe të gjitha familjet e këtij pallati regjistrohen në Njësinë Administrative nr. 5 për përfitimin e grantit që jepej në rastet e objekteve me dëmtime DS3. Ndërkohe që, në pallat bëheshin vizita të shpeshta nga Z. Kryeministër, sëbashku me shumë ambasador, sepse ai ishte një objekt perfekt për t’i treguar botës se në ç’masë ishte shkatërrimi. Por, që nga momenti i marrjes së fondeve nga e gjithë bota, ne mbetëm në harresë…

Më datë 22.01.2020, Instituti i Ndertimit, kryen nje akt ekspertimi visual, të cilën ja përcjell Bashkisë Durrës me anë të Shkresës Nr. 836 Prot., date 14.04.2020. Edhe pse komisionit, i cili ka bërë këtë vlerësim, nuk i është vën në dispozicion asnjë dokument në lidhje me objektin, siç shprehen ata vet në raport, në rekomandimet e lëna thuhet:

  • Struktura nuk i përgjigjet kërkesës sizmike dhe qëndron në kategorinë e dëmtimeve DS4;
  • Struktura kërkon ndërhyrje strukturore
  • Përforcimi
  • Përshtatje strukturore sipas kërkesave sizmike referuar EC.

Edhe pse ky dokument disponohet nga Bashkia Durrës, nuk u ndërmorr asnjë hap për ndryshimin e proçedurave që duheshin ndjekur për këtë objekt. Pas disa ditësh u mblodh Këshilli Bashkiak dhe duke mos marrë aspak parasysh raportin e fundit të Institutit, miraton të gjithë listën emerore të banorëve për përfitimin e grantit prej 500.000 lekë (Grant ky i dhënë për kategorinë DS3).

Që nga ajo ditë dhe deri sot që po ju shkruajmë ka qenë një luftë e gjatë shkresash me Institucione, të cilat as nuk arrinin të koordinonin përgjigjet me njëri-tjetrin. I jemi drejtuar të gjitha Institucioneve të mundshme disa herë, janë bërë protesta të vazhdueshme para Bashkisë. Kemi dhënë shumë intervista për televizione të ndryshme, që për fat të keq, siç tek ne është bërë e zakonshme tashmë, frika nga Qeveria i detyron të publikojnë kronika të cunguara, ku asgjë nga ç’ka ne me të drejtë kërkonim, nuk transmetohej.

I jemi drejtuar:

  1. Kryeministrit:

Asnjë reagim.

  1. Kuvendi (Komisioni për Sigurinë Kombëtare)

Znj. Ermonela Felaj shprehet se kërkesa jonë është jashtë tagrave të këtij komisioni.

  1. Institutit të Ndërtimit:

Nëpërmjet Akt ekspertizës na klasifikon në DS4.

Me anë të shkresave zyrtare, datë 05.08.2020 dhe 09.09.2020, ish Drejtori i Përgjithshëm Z. Agron Hysenlliu, deklaron se pallati është i klasifikuar DS3.

  1. Ministrit të Shtetit për Rindërtim, Z. Arben Ahmetaj:

Nëpërmjet shkrësës Nr. 3817/1 Prot., datë 10.09.2020, ja kalon për trajtim dhe competencë Institutit të Ndërtimit dhe pikerisht asaj që i bëri lëmsh gjërat, Bashkisë Durrës.

  1. Zyra e Bashkëqeverisjes:

Sipas verifikimeve të tyre, objekti është i klasifikuar si DS4.

  1. Zyra e Rindertimit pranë Prefekturës së Qarkut Durrës:

Sipas dokumentacionit që disponojnë, objekti figuron DS4.

  1. Avokati i popullit:

Drejton një Shkresë për Bashkinë, me lëndë “Kërkesë për shpjegime” dhe nuk kemi asnjë reagim se ç’ka ndodhur më pas.

  1. Prefektura Qarkut Durrës:

Kërkesë – ankesën tone ja përcjell për shqyrtim Bashkisë Durrës dhe Shtabit të Emergjencave pranë Bashkisë. Asnjë reagim me pas.

  1. Bashkia Durrës

Kësaj të fundit nuk dimë si t’ja vëmë emrin realisht. E shkruajtur e zeza mbi të bardhë, e firmosur nga një grup inxhinierësh, në një dokument të lëshuar nga Institucioni i vetëm që ka tagrin të shprehet në të tilla situata, se ky objekt për nga shkalla e dëmtimit klasifikohet DS4, në tejkalim të plotë kompetencash vazhdon të shprehet se objekti është i klasifikuar si DS3.

Me qindra herë i jemi drejtuar Bashkisë, në rrugë shkresore, me takime me Kryetaren e Bashkisë, nga të cilat kemi kërkuar anullimin e grantit që na ishte miratuar, klasifikimin nga Bashkia të objektit si DS4 dhe fillimin e ekspertizës së thelluar. Vlerësimin e dëmit real të objektit, gjë e cila me pas përcakton fatin e atij objekti. Nëse nga ekspertiza e thelluar vlera e dëmit është mbi 70% të vlerës së ndërtimit, atëherë ai objekt duhet të shembet. Në të kundërt Qeveria duhet të zhvillojë tenderin për riparimin e plotë të tij dhe jo të bëhet nga vet banorët  (264 familje) me 500.000 lekëshin që pretendon Bashkia.

E vetmja gjë që Bashkia dhe Njësia Administrative nr.5 ka berë gjatë kësaj periudhe, ka qenë nje presion i vazhdueshëm ndaj banorëve për tërheqjen e grantit. Vazhdimisht na bëhet presion duke na thënë: “merrini këto lekë ose do mbeteni pa gje fare, se të hidheni përpjetë, nuk e ndryshoni dot atë pallat në DS4”.

Në objekt janë bërë ndërhyrje të vazhdueshme nga persona të pautorizuar, me qëllimin e vetëm fshehjen e dëmeve. Jane bere suvatime te kolonave te zhveshura nga betoni ne pjesen e parkingut te pallatit (siç mund të shihet dhe nga fotot). Të gjithë ata që po përpiqen kaq shumë të na e bëjnë gropën për së gjalli, ju themi, kujdes sepse po ja bëni gropën vetes…

Bashkisë Durrës duhet t’i sqaroj dikush, se bazuar në kategoritë e niveleve të dëmeve, të bëra nga vet Qeveria juaj, një objekt nuk mund të klasifikohet dhe DS3 dhe ti bëhen ndërhyerje strukturore të nivelit DS4, siç pretendoni ju. Gjithashtu, t’i mësojë dikush se kur bëhen ndryshime në ligj, pjesa e ndryshuar nuk mbetet më në fuqi, se kur hartohet një raport mbi të njëjtën problematikëdhe hedh poshtë konkluzionet e mëparshme, raporti pararendës nuk qëndron më…

Ne të drejtën tonë do ta kërkojmë deri në fund, për këtë të jenë të qartë të gjithë ata pushtetarë, njerëz me influencë, me familjarë “të fortë”. Të gjithë ata që luajnë bixhoz me jetët tona dhe të fëmijëve tanë, duhet të dijnë se nuk po kërkojmë lëmoshë, po kërkojmë një të drejtë themelore, sigurinë për jetën.

Në fund të fundit, po kërkojmë vet atë që Qeveria, me Institucionin më kompetent të tij e ka thënë. Ky pallat ka shkallë dëmtimi të klasifikuar si DS4 dhe na vjen shumë keq por as Bashkia dhe asnjë Institucion apo individ i interesuar nuk mund ta mohojë.