Nga Leart Berisha
Një qytet me bibliotekë të rrudhur është si një qytet që lëngon. Një qytet që i mbyll dyert dijes dhe mendjes së hapur për të jetuar e për t’u zhvilluar në vendin e vet dhe jo larg tij.
Zgjedhjet vendore po afrojnë me shpejtësi, po biblioteka publike e Durrësit me 300 mijë banorë është ende në kërkim të një shtëpie të re. Përmbushja e përparësive të komunitetit të përcaktuara në kontratën sociale 2022 të lidhur mes Bashkisë Durrës dhe Shoqërisë Civile të përfaqësuar nga CSDC, ku një godinë e re për bibliotekën renditet ndër tre prioritetet e para, duket ende larg. Kontrata është nënshkruar nga kryetarja e bashkisë Durrës Emiriana Sako për qeverisjen vendore dhe Mirjam Reçi për shoqërinë civile. Ajo është një angazhim, detyrim social që duhet përmbushur në dobi të komunitetit nga ana e bashkisë, brenda një viti nga momenti i nënshkrimit.
Librat dhe lexuesit vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtën godinë të vjetër, ndërsa nevoja për hapësira të reja, një bibliotekë modern bashkëkohore është e madhe. Sigurisht, që qyteti ka dhe shumë nevoja të tjera, po kjo nuk duhet të konsiderohet një nevojë e dorës së dytë. Përkundrazi. Biblioteka i takon të gjithëve.
Godina aktuale është një godinë historike për qytetin e Durrësit, por e papërshtatshme dhe e rrënuar për të mbajtur brenda saj shumë libra dhe lexues që për shkak të interesave shkollore, personale, ose profesionale shtohen.
Ajo është e pasigurtë për jetën e lexuesve, punonjësve dhe vetë librave. Ndër vite ajo është përballur me rënie tavanesh, përmbytje dhe pasiguri për një aktivitet të mirë dhe të sigurtë. Është një godinë jashtë funksionit, që mbijeton e lënë në harresë.
Vitet e fundit numri i lexuesve ka ardhur në rënie.
Specialistja e bibliotekës Teuta Dhima thotë se sot biblioteka e Durrësit numëron 2421 lexues. Në sektorin e librit shqip për të rriturit, numri i lexuesve ka ardhur në rënie dhe shkak është mungesa e kushteve, e ambienteve të përshtatshme, sallave. Studentët janë më të interesuarit në përdorimin e sallës, por ajo është e pamjaftueshme.
“Është e njëjta sallë që ka qenë dhe 77 vite më parë. Me kohën, kërkesat e lexuesit ndryshojnë dhe përsa i përket ambienteve të bibliotekës ato nuk janë bashkëkohore dhe kjo reflektohet dhe në rënien e interesit.” – shprehet, jo pa keqardhje, specialistja e bibliotekës.
Në faqen zyrtare online të Bibliotekës Publike të Durrësit thuhet se ajo u hap për herë të parë me 10 shtator 1945, me një fond prej afro 5000 ekzemplarësh. “Biblioteka u vendos në një vilë dykatëshe të një misioneri italian, në qendër të qytetit me një sipërfaqe prej 357 m2.” Në të njëjtën godinë banimi të përshtatur për bibliotekë ku ndodhet edhe sot, pas 77 vjetësh.
Godina i rri e ngushtë morisë së librave që strehohen aty, mbi 270 mijë libra dhe periodikë. Ajo është e pasigurtë dhe rrezikon jetët e atyre që punojnë në të dhe lexuesve që e frekuentojnë dhe që çdo ditë e më shumë e braktisin atë.
Nëse do të kërkoni për bibliotekën e Durrësit duke naviguar online vihet re lehtësisht se kërkesa për një godinë të re është e hershme. Është premtuar, po nuk është mbajtur. Kërkesa mbetet, ndërsa Kontrata Sociale 2022 e nënshkruar nga kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako në qershor të këtij viti, e sjell në vëmendje dhe në një vend nderi. Kontrata sociale e dëshmon këtë nevojë sociale dhe kulturore, si një ndër prioritetet që ka komuniteti në Durrës. Kjo kontratë një-vjeçare duhet të përmbushet brenda qershorit të vitit të ardhshëm.
Gjendjes së mjerueshme të godinës i shtohet në ditët e sotme dhe zhvillimi teknologjik dhe bota e internetit që po marrin vëmendjen jo vetëm të të rinjve, po dhe më të mëdhenjve. Madje dhe moshës së tretë. Ndaj nevoja për infrastrukturë bashkëkohore për librin është e madhe. Me hapësira të reja, biblioteka mund dhe duhet të shndërrohet në vendin që mund të ndryshojë dhe përmirësojë qytetin tonë çdo ditë e më shumë.
Premtimet që bashkia merr ndaj komunitetit duhet të mbahen. Nevojat për përmirësime në Durrës janë të mëdha dhe në fusha të tjera, si pastrimi, parqet e gjelbërta, shtimi i koshave për mbetjet, apo rindërtimi pas tërmetit, po dhe biblioteka është një nevojë. Është histori, është kulturë. Është mundësi për të gjithë brezat për t’u mbajtur fort pas dijes dhe kultivuar atë, ndërsa të gjithë përballemi me sfidat e pafundme të teknologjisë dhe pasigurisë për atë që do të ndodhë.
Dashuria për librin dhe lidhja me të duhet të mbetet përmes institucionit të librit, kujtesës së ruajtur përmes tij. Biblioteka duhet të kthehet në një vend të dashur dhe me mjedise të përshtatshme për çdo të ri, duke u vënë në dispozicion hapësira social-kulturore ku të gjallojë debati për librin dhe mendimi kritik.
Në maj janë zgjedhjet dhe të gjithë ata që e kanë të drejtën e votës duhet të mendojnë seriozisht edhe për këtë.