Pagesat nëpërmjet kartës apo edhe ato online po bëhen gjithnjë e më të përhapura edhe në vendin tonë. Madje sipas guernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ritmi i pagesave elektronike ka kaluar edhe pritshmëritë.

“Në vitin 2021 është arritur një nivel i përdorimit të pagesave elektronike prej 12.5 pagesash për frymë, duke tejkaluar edhe objektivin e synuar të Strategjisë prej 10 pagesash deri në fund të vitit 2023, ndërkohë që në vitin 2022, vlerësohet se kjo shifër do të arrijë nivelin 16 pagesa për frymë”.

Kjo është shoqëruar edhe me një rritje të vlerës së transaksioneve apo pagesave elektronike.

“Volumet e pagesave me kartë janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit (2018-2022), duke shënuar një trend mesatar rritës prej rreth 40% në vit.”

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera, si krijimi dhe operimi i sistemit AIPS-EURO, i cili i ka bërë të mundur shmangien e radhëve të gjata nëpër sportele për kryerjen e pagesave në euro nga njëra bankë në tjetrën, dhe uljen e komisioneve të larta të aplikuara nga transferimi nëpërmjet bankave korrespondente, duke u kursyer shqiptarëve rreth 10 milionë euro.  

Teksa mori pjesë në mbledhjen VIII të Komitetit Kombëtar të Sistemeve të Pagesave, guvernatori Sejko bëri të ditur është ndërmarë nisma për hartimin e një projektligji të veçantë që parashikon edhe ofrimin e llogarisë bazike, pa komisione, për kategori të caktuara të popullsisë si pensionistët, studentët dhe personat që përfitojnë ndihma ekonomike.