Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga qendra shëndetësore Nr.2 në Tiranë, tha se është siguruar financimi i plotë për paketat e trajtimit ambulator falas për pacientët që trajtohen në shtëpi.
“Rimbursimi 100% dhe financimi nga shteti për paketën e trajtimit me barna për të gjithë qytetarët të cilët kanë forma të lehta dhe të moderuara të sëmundjes, është një tjetër hap drejt mbështetjes së qytetarëve, drejt angazhimit dhe kujdesit që qeveria shqiptare ka për gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Manastirliu.
Duke folur për lehtësinë e përfitimit të barnave në banesë, mundësuar falë sistemit elektronik në rrjetin e qendrave shëndetësore, Manastirliu tha se tashmë rimburësimi do të bëhet shumë shpejt.
“Në fakt gjatë gjithë periudhës së pandemisë qytetarëve të cilëve i’u është dashur që të marrin barna me rimbursim, i kanë marrë pikërisht nëpërmjet kodit elektronik dhe vendosjes në lidhje direkte të mjekut të familjes, qytetarit dhe farmacisë”, shtoi ajo.
Ministrja u shpreh se vazhdon vaksinimi falas kundër gripit i grupeve në riks në të gjitha qendrat shëndetësore, duke e konsideruar këtë një ushtrim të mirë në pritje të ardhjes së vaksinës anti-covid.
“Vaksinimi kundër gripit në një sasi kaq të madhe për një periudhë të shkurtër kohore, ku po vaksinojmë 368 mijë qytetarë, është sigurisht një ushtrim para përgatitës edhe për sa i përket vaksinës së Covid19. Sigurisht në momentin që ajo do të vijë në Shqipëri, do të garantojë gjithashtu edhe sigurinë edhe efektivitetin. Dhe padyshim në varësi edhe të llojit të vaksinës që do të vijë kemi gati edhe skenarët për çdo vaksinë sipas llojit dhe karakteristikave që ajo ka”, shtoi ajo.