Poligoni i parë publik i testimit praktik për Leje Drejtimi dhe Qendra e parë Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale për Leje Drejtimi, do të ndërtohet në Fushë-Prezë, Tiranë.

Pas blerjes së truallit, alokimit të fondit për investimin dhe projektim e prokurim, tashmë lidhet kontrata për ndërtimin e këtij poligoni brenda nëntorit. Një tjetër vepër për standarde testimi transparent e në kushte sigurie manovrash, por edhe një qendër futuristike edukimi e formimi për kursantë e subjekte të interesuara për simulime reale dhe virtuale, ushtrime e prova të epokës digjitale, objektiv i DPSHTRR që bëhet realitet!

Një tjetër investim, 100% nga vetëfinancimi si ent, që provon rëndësinë e fokusit tonë te rritja e cilësisë së procesit të Testimit për Leje Drejtimit, monitorimit dhe transparencës, modernizimit të proceseve të shërbimit që lidhet me Autoshkollat dhe kursantët për lejedrejtimi.

Objekti i ri brenda kësaj qendre do të kthehet në një hapësirë të teknologjisë më të fundit të simulatorëve mbi drejtimin e mjetit, pikë takimi për aktivitete edukative me moshat e reja si edhe stacion trajnimesh profesionale të sektorit të Leje Drejtimit!

Projekti parashikon e-Monitorim ajror por edhe brenda në kabinë, live gjatë provimit, kompleks funksional ditën e natën, eficiencë energjitike e karikim mjetesh elektrike me energji diellore, parkime ndihmëse, sinjalistikë e mjete simulimi, instalime bashkëkohore dhe ambiente pritjeje!

Kjo vepër e re shumëdimensionale, me një sipërfaqe rreth 6000 m2 do të shërbejë edhe për Programe Edukative të Sigurisë Rrugore, orë Këndi Trafiku dhe Aktivitete Mësimore shtesë.