Për shumë kënd, muzika e kompozitorit të njohur Feim Ibrahimi mbetet e pavdekshme. Maestro i njohur u kthye mbrëmë me pjesët instrumentale në qytetin ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij, Durrësin.

Pas Tiranës dhe Gjirokastrës, koncerti vokalo-instrumental “Peisazh i pyllit të rralluar” prologun e tij e pati në qytetin bregdetar.

Bija e tij, Etrita Ibrahimi, rrëfen për “DurrësLajm” arsyen kryesore të këtij projekti që përfshin 26 vite krijimtari të artistit, që jetën ia kushtoi muzikës.

“Partiturat e të gjitha veprave të këtij projekti, do të botohen dhe do të jenë në dispozicion të të gjithë atyre që do të duan t’i interpretojnë. Më pas do të vijë për të gjithë ju, edhe CD-ja e regjistruar nga Vikena, Genci, Klaudio dhe Etrita”,– thotë Etrita.

Për divën e skenës shqiptare dhe ndërkombëtare, Inva Mula, e cila kishte ardhur apostafat në Durrës për të ndjekur koncertin, maestro Feim Ibrahimi mbetet një artist pa kohë.

Një nga pjesët instrumentale më drithëruese ishte “Dialogo per violonçel dhe piano”, e kompozuar në muajt e fundit të jetës, në kohën kur vendi ynë po kalonte kaosin e 1997-ës.

“Xhaketa e kuqe” apo “Rrjedh në këngë e ligjërime” janë disa nga hitet e maestro Ibrahimit, ndërkohë që ripunimin e tyre e ka realizuar me mjeshtëri artisti Genc Tukiçi.

Megjithëse më i riu mes 4 artistëve në skenë, violonçelisti Klaudio Zoto rrëfen se ka qenë 6 vjeç kur u njoh për herë të parë me krijimtarinë e Ibrahimit.

Këngët më të njohura të maestro Ibrahimit erdhën nën interpretimin mjeshtëror të Vikena Kamenicës, ndërkohë që publiku në sallë shijoi një mbrëmje të bukur artistike.

M.B.