Banorët e pallatit 8 në lagjen nr.5, rruga “Stefan Dhima” në Durrës kanë akuzuar prokurorinë se po zvarrit çështjen për prishjen e objektit 12 katësh, që është dëmtuar rëndë nga tërmeti i një viti më parë.

Sipas banorëve, ekspertizat kanë vendosur për shembje të pallatit, ndërsa prokuroria po përpiqet të kryejë manipulime.

“Kërkojmë vazhdimin e çështjes me shpejtësi jo zvarritje. SPAK-u të marrë çështjen në dorë jo të jetë në kompromis me ta.”, shprehet një qytetar.

“Problematika jonë është e njohur, kemi një vit. Pallati ka ngelur pezull, hetimet e prokurorisë po vonohen, nuk e dimë afatet ku janë, a janë të sakta dhe sa do zgjasin.  Janë bërë tre akt-ekspertiza topografike, kanë mbaruar edhe ekspertizat e tjera, skanime dhe gjithçka dhe për pallatin është dhënë verdikti i shembjes. Tani ne presim, presim vendimin e prokurorisë.”, thotë një tjetër.

“Çështje kjo zvarritje që po na ndodh?”, pyet një tjetër banor i pallatit 12 katësh, i cili kërkon që objekti të shembet sipas ekspetizës.