Tre persona janë arrestuar janë natës nga policia në Korçë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin po transportonin 13 emigrantë të paligjshëm.

Një prej tyre u kap në automjet me emigrantët ndërsa dy të tjerët kontrollonin rrugën me një automjet tjetër.

Me finalizimin e operacionit të koduar “Midnight” u arrestuan:

A. B., 44 vjeç; R. H., 22 vjeç dhe O. B., 28 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë, falë organizimit të veprimeve, në bazë edhe të inteligjencës informative, gjatë operacionit, bënë të mundur kapjen e shtetasit A. B., në aksin rrugor Korçë-Pogradec, duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz”, 13 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt pagesës, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

“Nga hetimet e kryera, rezulton se të implikuar në këtë veprimtari kriminale janë edhe dy shtetasit e tjerë, R. H. dhe O. B., të cilët me një automjet tip “Benz”, me drejtues 22-vjeçarin dhe pasagjer 28-vjeçarin, monitoronin rrugën, për të sinjalizuar 44-vjeçarin, në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë,” njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.