Nga Mila Ballhysa
Prej mëse një muaji, kryeministri Rama është thuajse çdo ditë në qarkun e Durrësit. Herë në lagjet e qytetit, herë në Shijak, në raste të tjera në Thumanë. Kudo që vihet një tullë, ku dorëzohet një çelës shtëpie, ku prezantohen ambientet e një shkolle të re, ku ngrihen skelat për riparimin e pallateve të dëmtuara, Rama është aty.
Sheh nga afër çdo gjë, kërkon llogari kur hyrja e një pallati është më e ulët sesa shtatlartësia e tij, kur gjen diçka që nuk shkon tek dera e një banjoje të një shkolle. Madje nuk i shpëtojnë as sytë që bëjnë xixa të një drejtoreshe shkolle, kur një mësuese i merr protagonizmin para kreut të qeverisë. Si për t’i hedhur edhe më benzinë zjarrit i kujton se i ka dalë nami si shtrigë. Shtrigë apo jo, ky epitet do t’i mbesë për shumë kohë, vetëm për faktin se e tha kryeministri. Ashtu siç do të kujtohen çorapet e kuqe të Ahmetajt, kur hoqi këpucët gjatë një vizite në një shtëpi të rindërtuar në Shijak.
Ndërsa nxiton për të dorëzuar personalisht çelësin e një shtëpie të re, Rama prej disa muajsh ka harruar vizitat në çadrat ku mijëra njerëz po kalojnë dimrin e dytë. Mizanskenat e përditshme në kantieret e rindërtimit, ku ai vetë është aktori kryesor i rrethuar nga aktorët episodikë, që i shërbejnë për të tjerrur skenarin e radhës, janë dëshmia më e qartë e nevojës së kryeministrit për të treguar se Rindërtimi mbetet ndër prioritetet e tij. Banorët e çadrave nuk janë ende të denjë për të marrë vëmendjen e kryeministrit. Ata duhet të presin ndërtimin e shtëpisë për të pasur mundësi të bëhen pjesë e miniserialit kryeministror, ku parakalojnë për të bërë uratat e radhës për liderin që jeton dhe punon për hallet e popullit të tij. Janë rreth 1000 banesa individuale në Durrës që do të rindërtohen, por deri tani asnjë nuk ka përfunduar.
E ndërsa bën kosha me topin e basketbollit në 3 shkollat e rindërtuara në Durrës, Rama ka harruar të vizitojë disa nga shkollat kryesore të qytetit, të cilat që prej marsit kanë kyçur dyert, megjithëse në dhjetor 2019 mirëpritën sërish nxënësit pas tërmetit të frikshëm. Nxënësit e këtyre institucioneve arsimore bëjnë mësim me 3-4 turne, ndërsa godinat nuk janë shembur ende dhe nuk dihet se kur do të nisë procesi i rindërtimit të tyre. Këto shkolla nuk janë akoma histori suksesi të qeverisë, prandaj tani për tani ato nuk duhet të shfaqen në prozhektorët e ERTV-së apo të marrin vëmendjen e Ramës. Janë gjithsej 31 shkolla dhe kopshte në Durrës që duhet të ndërtohen nga e para, por ndërkohë kanë përfunduar vetëm 3, ndërsa 9 të tjera pritet të mbarojnë deri në fund të dhjetorit.
E njëjta gjë ndodh edhe me mijëra familjet e 123 pallateve me dëmtime DS4, të detyruara prej një viti të jetojnë me qira. Në ditët e para pas tërmetit ato ishin skena që shfaqej para syve të liderve të rajonit, të cilët i shoqëronte vetë Rama për t’u treguar pasojat shkatërrimtare të tërmetit. Një vit pas lëkundjes sizmike, qeveria dhe ministri me çorape të kuqe nuk e kanë ende të qartë fatin e këtyre godinave shumëkatëshe, nëse do të shemben apo rikonstruktohen. Deri në qartësimin e këtyre paqartësive që do të jenë ping-pongu i radhës mes Institutit të Ndërtimit dhe Ministrisë së Rindërtimit, ato do të mbeten vetëm në fokusin e medieve që pasqyrojnë protestat gjithnjë e më të rralla të banorëve. Nga rreth 30 pallate që janë shembur në Durrës, vetëm në 2 prej tyre kanë nisur punimet.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në një raport të fundit specifikonte mosrealizimin e fondeve për rindërtimin pas tërmetit, që në muajin shtator ishin vetëm 8% e totalit vjetor të buxhetuar. Madje edhe në buxhetin e vitit 2021 nuk është detajuar se si do të shpenzohen fondet e parashikuara për tërmetin (rreth 28 miliardë lekë).
Përballë raporteve specifike të Fondit Monetar Ndërkombëtar kemi miniseritë 15-20 minutëshe të përditshme të kryeministrit shqiptar në ERTV. Nëse keni humbur serinë për Gjepalajn, do të mund të ndiqni atë për Xhafzotajn, nëse për arsye nga më të ndryshmet nuk e patë vizitën e Ramës në lagjen nr.18, do ta shihni gjatë parakalimit në lagjen nr.13. Zyra e shtypit e kryeministrit nuk servir vetëm një, por disa të tilla gjatë ditës. E nëse gjatë një 24 orëshi ishit shumë të zënë dhe i humbët të gjitha, një ditë më pas do të mund t’i ndiqni live apo në rrjete sociale. Ndryshojnë vetëm fatkeqët e radhës që tërmeti i la pa shtëpi, pasi kryeministri zemërgjerë është aty.
Me batutën më të fundit dhe skenarin e improvizuar, Rama dhuron çelësat e shtëpisë së ndërtuar me paratë e buxhetit të shtetit. Dhe si për t’i mbyllur gojën skeptikëve të rindërtimit, shfaqet ndonjë i/e ekzaltuar që thotë “nuk të tradhtoj asnjëherë, edhe sikur mos ma bësh shtëpinë” apo “falë zotit, që tërmeti ra në kohën e Edi Ramës!”