Blerim Kotobelli kërkon falje për kartonin e kuq në Shkodër, ndërsa beson se Teuta do të ketë një tjetër fytyrë në vitin 2023. Mbrojtësi i majtë i durrsakëve ka folur për ecurinë zhgënjyese në pjesën e parë të kampionatit, si dhe atë që e pret ekipin në vazhdimësi, teksa po lufton për mbijetesë.
Blerim, çfarë nuk shkoi ndaj Vllaznisë?
Të them të drejtën, e kemi filluar shumë mirë ndeshjen. Në dy raste të pastra që patëm, nuk shënuam. Duhet të ishim më vigjilentë te golat e pësuar. Pastaj çdo gjë ngarkohet psikologjikisht dhe skuadra u çekuilibrua.
Sa do të ndikojë kjo humbje në ecurinë e Teutës?
Kjo humbje nuk do të ndikojë te skuadra. Sigurisht do të mendojmë të rikuperojmë në ndeshjet e radhës. Kemi në dorë t’i bëjmë gjërat mirë. Rezultatet janë në fushë dhe kemi besim që skuadra do të ringrihet.
Në Shkodër u ndëshkuat me karton të kuq, duke lënë skuadrën me 10 lojtarë. Pse kaq nervozizëm?
Në radhë të parë, u kërkoj falje të gjithëve në klub dhe shokëve në fushë, që i lashë në inferioritet numerik. Kam shumë keqardhje për atë karton, pasi mund ta evitoja, ndërsa tashmë nuk do të jem gati për duelin ndaj Kastriotit. Megjithatë, këto janë pjesë e futbollit, por unë kam besim te shokët e ekipit se do të rikthehen te fitorja.
Si e shpjegoni zhgënjimin e ekipit në këtë pjesë të parë të sezonit?
Mungesa e rezultateve gjatë këtij sezoni na ka mërzitur dhe natyrisht kjo na bën që të punojmë fort për të kthyer situatën. Jemi angazhuar në stërvitje dhe ndeshje, por gjërat nuk kanë dalë si duam ne. Na zhgënjen shumë fakti që nuk po arrijmë të kemi vazhdimësinë e duhur, por duke besuar te puna që bëjmë, besoj se gjërat do t’i kthejmë në favorin tonë shumë shpejt. Kanë kaluar vetëm 15 javë, kështu që kemi mundësi të bëjmë shumë më mirë në 21 ndeshjet e mbetura.
Sa mund t’u shërbejë ndalesa e kampionatit?
Po na shërben shumë për sa i përket anës fizike. Patëm disa ndeshje shumë të vështira në pak ditë. Na duheshin këto pushime për t’u përgatitur mirë edhe nga ana taktike.
Jeni tri pikë më pak nga zona e shpëtimit, si e shikoni garën me skuadra si Kukësi, Bylisi apo Kastrioti, që momentalisht keni më afër?
Ne duhet të kemi besimin e duhur për t’u ngjitur në renditje. Siç e thashë edhe më lart, janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. I kemi të gjitha shanset të realizojmë objektivat tanë.