Një vit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, familjarët kanë zhvilluar homazhe në vendin ku ngrihej objekti katër katësh i familjes Lala në Durrës, e cila ishte një ndër më të goditurat nga kjo tragjedi.

Plot 8 familjarë humbën jetën nën rrënojat e banesës së tyre dhe i vetmi që mundi të shpëtonte ishte 17-vjeçari asokohe, Ramë Lala, i cili u dërgua për kurim në Itali.

Sot, një vit nga ngjarja e rëndë, Blerim Lala, një nga djemtë e familjes që ishte në Itali në kohën që ra tërmeti shprehet se 2019 për ta ishte një vit i zi që nuk do ta harrojnë dot.

Mes lotëve, Lala tha se nuk do të kthehen më në qytetin e Durrësit, pasi aty kanë kujtime shumë të hidhura.

“Ka qenë një vit i trishtë, mundohemi ta harrojmë, por nuk mundemi dot ta harrojmë. Në Durrës nuk kthehemi, kemi kujtime shumë të hidhura, kujtojmë çdo gjë të fëmijëve, kudo që dalim, shohim shkollën e fëmijëve.”

Më tej, ai ka treguar se 18-vjeçari i mbijetuar ka vazhduar jetën në Itali, e ndonëse gjendja e tij shëndetësore është e mire, Remë Lala vijon të ketë trauma.

“Nga gjendja shëndetësore është shumë mirë, ka trauma, nuk e kemi ngacmuar fëmijën, mundohemi që të mos t’ia përmendim asnjëherë.”

I pranishëm në homazhe, kryetari i njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku u shpreh se 26 nëntori do të jetë një ditë e zezë në çdo kohë për zonën.

“Kemi ardhur sot për të shprehur ngushëllime familjes Lala. Urojmë që t’ju japë Zoti forcë që të përballojnë këtë dhihmbje, këtë humbje kaq të madhe dhe të vazhdojnë përpara.”

Lëkundja e fortë sizmike, me magnitude 6.4 e shkallër rihter arriti të shembte banesën katër katëshe në zonën e ish-Kënetës duke marrë me vete edhe 8 anëtarët e saj, mes të cilëve 4 fëmijë:

  • Ilir Lala (Ishte i paralizuar prej vitesh)
  • Marjeta Lala (Nëna e katër fëmijëve)
  • Emilio Lala 6 vjeç (Djali i Marjeta Lalës)
  • Enis dhe Dionisa lala (Binjakët e Marjeta Lalës)
  • Amelia Lala 9 vjeç (Vajza e Marjeta Lalës)
  • Griselda Lala 22 vjeç (Motra e Ramë Lalës)
  • Sadete lala 78 vjeç (gjyshja)