Dy të rinj janë arrestuar sot në Tiranë ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për shpërndarje droge.

Sipas policisë, Arbër Bardhi dhe Vilson Çepele shpërndanin doza të drogave të forta kryesisht në lokalet e natës në kryeqytet.

Nga hetimet e kryera me metoda proaktive ka rezultuar se këta 3 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e dozave të drogave të forta, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në klubet e natës.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokaine, 1 tabelë policie, 3 automjete, 5 aparate celulare, 1 peshore elektronike, 76 800 lekë të rinj dhe 175 euro, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.