Një 62-vjeçar është arrestuar nga policia në Devoll pasi ka tentuar të vrasë duke goditur në kokë me sëpatë një 73-vjeçar.

I plagosuri u paraqit në urgjencë në spitalin e Korçës ndërsa ditën e  sotme do të transportohet drejt Traumës, në Tiranë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Bilishtit, kishte shkuar për ndihmë mjekësore një shtetas i dëmtuar në kokë, menjëherë kanë shkuar në spital, me qëllim verifikimin e rastit. Shtetasi i dëmtuar Vasil Begolli, 73 vjeç, banues në fshatin Menkulas, Devoll, ka deklaruar fillimisht përpara oficerit të policisë gjyqësore se ishte rrëzuar aksidentalisht, në oborrin e banesës së tij,” njoftoi policia.

Nga provat e siguruara nga hetimi rezultoi se shtetasi Vasil Babinis, 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për motive të dobëta, kishte goditur me mjet të fortë (sëpatë), në kokë, 73-vjeçarin, i cili do të transportohet nga spitali i Korçës në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim të specializuar.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.