Nga Dr. Bledar Kurti
Një vit ka kaluar që nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019. Një vit që bashkë me pandeminë e COVID-19 do mbahet mend si viti më i zi për banorët e Durrësit.
Sot në Durrës ka trishtim dhe zemërim si kurrë më parë.
Trishtim sepse prej një viti qindra familje janë në çadra; 1500 banesa individuale janë ende të pabanueshme; 900 familje me banesa DS4 nuk kanë as informacionin më të vogël nga Bashkia apo qeveria se çfarë do ndodhë me ato; nga 5 pallatet e planifikuara për t’u prishur nuk është rindërtuar as edhe një i vetëm; kudo në Durrës ka pallate e godina të anuara, me pjerrësi që të tremb sytë, e askush nuk i vlerëson apo kujdeset se mos rrezikojnë kalimtarët (madje një prej tyre ështe vetëm 200 metra nga Bashkia dhe askush nuk shqetësohet); të gjitha riparimet e banesave janë kryer me paratë e vetë banorëve pasi ato para që u dhanë ishin të pamjaftueshme; me mijëra banorë janë ende me qira e nuk dinë se kur, apo nëse, do mund të rikthehen ndonjëherë në banesat e tyre; dhe në listën e pagesave në fondin e rindërtimit apo qirave gjenden kryesisht nëpunësit e Bashkisë apo administratës shtetërore.
Banorët e Durrësit janë të trishtuar sepse ky është dimri i dytë pa shtëpi. Dimri i dytë i braktisjes nga shteti.
Banorët e Durrësit janë të zemëruar se janë sot më të varfër e më të braktisur se kurrë.
Ku janë 1.15 miliardë eurot që u morrën hua nga qeveria? Për çfarë u morr ai borxh kaq i madh dhe i pashlyeshëm kur në Durrës nuk është ndërtuar as edhe një pallat i vetëm? E përsëris: as edhe një.
Çdo javë Durrësi shndërrohet në shesh xhirimi për videot dhe propagandën e qeverisë por asgjë nuk po bëhet për banorët e pastrehë. Vihen skelat për restaurim fasadash vetëm pak orë përpara se kryeministri të vijë për foton dhe videon e radhës.
Ky është turp. Kjo është tallje.
Me fatkeqësinë e Durrësit po përfitohen miliona. Me dhimbjen e durrsakëve të pastrehë po bëhet propagandë. Propagandë elektorale me fatkeqësinë. Shfaqje e shëmtuar politike me vuajtjen.
Jo vetëm që nuk ka rindërtim në Durrës por ka pasurim të oligarkëve pranë pushtetit me tragjedinë e madhe që i ndodhi Durrësit.
Me mbetjet inerte, pra mbetjet nga godinat e rëna apo të prishura, po përfitohen miliona, pasi ato hidhen në shkelje të ligjit në toka bujqësore apo private për tē ndërtuar parking, shtresa shtesë për pika karburanti, rrugë private, e madje hidhen edhe në Portin e Durrësit për të ndërtuar një kalatë. Përveç kësaj autoritete vendore apo qendrore firmosin tendera për marrjen apo transportin e mbetjeve inerte, duke përfituar kështu dyfish.
Edhe në fatkeqësi Durrësit po i pijnë edhe pikën e fundit të gjakut.
Durrsakët janë të zemëruar pasi qyteti më i bukur i Shqipërisë, ish taverna e Adriatikut, tashmë është kthyer në gërmallë urbanistike, ekonomike e sociale, me mijëra biznese të mbyllura, turizëm në faliment dhe papunësi të skajshme.
Banorët e Durrësit paguajnë faturat më të larta në vend të ujit dhe dritave. Madje edhe në pikun e pandemisë faturat e ujit arritën në 8,000 lekë të reja në muaj.
Në Durrës ka një bllok betoni prej 6 milionë dollarësh mbi të cilën ndodhet një velierë e padukshme. Çfarë po bëhet me të askush nuk e di? Ku janë paratë, vetëm ata që i përfituan e dinë.
Çdo vit në Durrës ribëhen të njëjtat rrugë e sheshrrotullime me kosto prej miliona eurosh. Rrugë qê dikur ishin me katër korsi tani janë me dy. Rrugë dikur të gjera tani janë të pakalueshme. Çdo vit shtohet prezenca, ngjyra gri, dhe skandali i betonit.
Në Durrës nuk ka as edhe një park. As edhe një hapësirë ku mund të luajnë fëmijët. Prindërit i çojnë fëmijët të luajnë brenda qendrave tregtare apo në lokale. Nuk ka as edhe një qoshe të lirë ku mund të pushojnë pensionistët.
Durrësi është qyteti pa kinema. Pa gjelbërim. Pa lule.
Një abstraksion urbanistik ku kullat ngrihen sa hap e mbyll sytë.
Durrësi përmbytet sa herë që bie shi, ndërsa gjatë verës qytetarët, nga nxehtësia e betonit, mund të skuqin (realisht) vezë në sheshin Iliria në qendër të qytetit.
Durrësi është i pasur me arkeologji por sa herë që zbulohet një gjetje e re arekologjike thirret betonierja dhe historia e të lashtëve vdes prej së dyti dhe shuhet përgjithmonë. Dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Durrësi ka portin kryesor të vendit por prej së cilit banorët e këtij qyteti nuk përfitojnë as edhe një qindarkë.
Durrsakët janë të bekuar me det por që nuk mund ta shijojnë në asnjë hapësirë publike. Ndaj paguajnë privatin duke u ndier të huaj në vendlindjen e tyre.
Ata që kanë prona në qytet, toka në bregdet apo toka bujqësore, edhe pse me pronësi nga hipoteka dhe me vendim gjykate nuk marrin dot pronën e tyre pasi shtatë vite më parë u ndalua procesi i rikthimit të pronave për t’i hapur rrugë Korporatës së Investimeve e cila e lejon shtetin të marrë të gjithë tokat dhe pronat në bregdet.
Lumi i Ishmit dhe Lumi Erzen, në Durrës, në vend që të jenë burim begatie janë shndërruar në rrezik mjedisor për shkak të ndotjes së paimagjinueshme që u janë shkaktuar.
Zona e ish-kënetës po vuan nga ndotje dhe përmbytje të vazhdueshme. Përveçse një zonë kaosi urbanistik banorët po sëmuren nga shpërthimi i ujrave të zeza që arrin deri brenda shtëpive sa herë që bie shi.
Rinia e Durrësit nuk ka punë. Edhe të rinjtë me arsim pasuniversitar e me rezultate të shkëlqyera të vetmin sektor punësimi kanë “call centers.”
Pjesa më e madhe e të rinjve duan të largohen pasi shpresa u është vrarë dhe mundësitë u janë shuar.
Por ky qytet kaq i zemëruar, ndaj të cilit kanë rënduar kaq shumë padrejtësi, nuk e ka harruar kurrë forcën që ka. Forca e banorëve të Durrësit është më e madhe se forca e atyre që po i mjerojnë.
Durrësi i qytetarisë dhe vlerave e ka kthyer gjithnjë zemërimin në veprim. Ka ditur të gjithmonë të veprojë dhe grushtojë fort në emër të qytetarisë dhe drejtësisë.
Durrësi nuk do të heshtë. Ndaj më 25 prill, grushti më i fortë i zemërimit ndaj keqqeverisjes, talljes, shfrytëzimit dhe abuzimit do të jetë pikërisht në Durrës.