Është zbardhur ngjarja e rëndë në Peshkopi, ku shtetasi Nuri Basha u plagos rëndë dhe humbi jetën në spital dy ditë më vonë. Krimi ndodhi në muajin qershor të vitit 2022 në Peshkopi.
Policia ka vendosur në pranga edhe 3 autorë të dyshuar të vrasjes së tij, Eduart Torba, Ahmet Torba dhe Lavdrim Kaleci. Ata ishin nën hetim për moskallëzim krimi, dhe ishte arrestuar vetëm shtetasi Osman Torba. Ky i fundit raportohej se kishte shtyrë Nuri Bashën, i cili është rrëzuar në tokë, duke marrë dëmtime të rënda.
Megjithatë hetimet kanë marrë tjetër rrjedhë dhe tre shtetasit Eduart Torba, Ahmet Torba dhe Lavdrim Kaleci janë vendosur në pranga rreth 8 muaj pas krimit, të akuzuar për vrasje me dashje.
“Më datë 26.06.2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit L. K., pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. T., në bashkëpunim me shtetasit A. T., L. K. dhe O. T. (i arrestuar më parë), kanë plagosur rëndë 60-vjeçarin N. B., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën në spital, dy ditë pas ngjarjes. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka urdhëruar ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, e cila ka caktuar për secilin nga këta shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi policia.
Ditën e ngjarjes së rëndë, më 26 qershor, personat dëshmitar raportuan se viktima ishte pasagjer në një makinë dhe teksa po zbriste nga mjeti është rrëzuar duke dëmtuar kokën. Viktima u transportua tek Trauma në Tiranë, por nuk arriti të mbijetonte, duke humbur jetën dy ditë më vonë mbrëmjen e datës 28.06.2022.
Por policia zbuloi se pranë lokalit të shtetasit L. K., në Peshkopi pas një konflikti për motive të dobëta dhe u arrestua Osman Torba ka shtyrë Nuri Basha, i cili është rrëzuar në tokë, duke marrë dëmtime të rënda. Ndërsa tre dëshmitarët e ngjarjes, Eduart Torba, Ahmet Torba dhe Lavdrim Kaleci, u proceduan penalisht në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.
Por pas hetimit ndaj tyre u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Njoftimi i policise:
DVP Dibër/Finalizohet operacioni policor proaktiv i koduar “Deepened”.
Zbardhet ngjarja e ndodhur në qershor të vitit 2022, në Peshkopi, ku mbeti i plagosur rëndë 60-vjeçari N. B., i cili më pas humbi jetën, në spital.
Zbardhja e ngjarjes, si rezultat i hetimeve të thelluara, të zhvilluara nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër.
Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, për 3 shtetas të cilët ishin nën hetim, për këtë ngjarje, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, si rezultat i një pune hetimore të pandërprerë, në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të një ngjarjeje të ndodhur në qershor të vitit 2022, në fushën e krimeve kundër personit, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Deepened”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
E. T., 49 vjeç, A. T., 64 vjeç dhe L. K., 53 vjeç, të tre banues në Peshkopi.
Nga tërësia e hetimeve të thelluara dyshohet se më datë 26.06.2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit L. K., pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. T., në bashkëpunim me shtetasit A. T., L. K. dhe O. T. (i arrestuar më parë), kanë plagosur rëndë 60-vjeçarin N. B., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën në spital, dy ditë pas ngjarjes.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka urdhëruar ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, e cila ka caktuar për secilin nga këta shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.





