Tirana ndezi mbrëmjen e sotme dritat e pemës së festave të fundvitit në sheshin “Skënderbej”. Në respekt edhe të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve lidhur me masat anti-Covid, 10 vogëlushë të Korit të Fëmijëve “Mrekullia” ndezën dritat e pemës festive.
Në mesazhin drejtuar qytetarëve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se Tirana ndonëse kaloi vështirësi këtë vit, gjeti forcë të ngrihet si kurrë më parë.
“Ky ka qenë një vit pazakontë, ndoshta viti më i vështirë në historinë 100-vjeçare të Tiranës kryeqytet. E megjithatë, jeta vazhdon, e megjithatë dielli lind çdo mëngjes, e megjithatë pas vështirësive ne çohemi sërish në këmbë për të ecur përpara. Ndaj, këtë fundvit, duhet të merrnim një vendim, nëse do të vazhdonim me festën, nëse do të vazhdonim me zbukurimin e qytetit, nëse do të vazhdonim me harenë dhe vendosëm që “PO”, për hir të fëmijëve, për hir të atyre që nuk kanë bërë asnjë mëkat dhe që meritojnë të gëzojnë edhe këtë fundvit”, tha Veliaj.
Veliaj bëri thirrje për më shumë solidaritet, duke qëndruar pranë atyre që kanë nevojë dhe për të inkurajuar ata që edhe këtë fundvit do të jenë në frontin e parë të betejave të rëndësishme, si pandemia apo procesi i rindërtimit.
“Shumë gjëra janë ndaluar këtë fundvit, por nuk është ndaluar dashuria, nuk është ndaluar mirësia, nuk është ndaluar bamirësia, nuk është ndaluar solidariteti. Ndaj duhet të gjejmë kurajo për t’u ngritur bashkë përtej vështirësive për t’i qenë pranë atyre që kanë nevojë ose për të inkurajuar ata që edhe këtë fundvit do të jenë në frontin e parë të betejave tona të rëndësishme, si pandemia apo i gjithë procesi i rindërtimit. Gëzuar festat”, theksoi Veliaj.
Krahas Sheshit “Skënderbej”, godinat pranë tij dhe në rrugët kryesore të Tiranës, janë mbushur plot me drita dhe me zbukurime, duke sjellë edhe pak lumturi në ditë të vështira, të mbushura me shqetësimin nga pandemia e koronavirusit. Bashkia e Tiranës është kujdesur deri në detaje për atmosferën festive. Kanë qenë të shumtë qytetarët të cilët kanë zgjedhur që të ruajnë një kujtim nga zbukurimet e shumta.