Nga Shpëtim Kodra
John Wayne: ”Artet prodhojnë oksigjenin e lirisë dhe shërbejnë si sistem alarmi, kur liria është në rrezik”.Dhe sot bota demokratike po ndjek me shqetësim të thellë krimet e luftës në Ukrainë, pasi liria, demokracia rrezikohen në të gjithë botën. Sa herë u rrezikohet atdheu, ukrainasit u drejtohen vargjeve të Taras Shevçenkos, që himnizojnë qëndresën, kurajën dhe krenarinë kombëtare ukrainase. Heroizmi masiv, i shfaqur, si në gjithë Ukrainën, në Kharkiv, u shoqërua nga një gjest simbolik. Për të shpëtuar statujën e poetit kombëtar, 16 m. të lartë, ukrainasit ngritën barrikadën me thasë me rërë. Portreti i tij është valëvitur edhe në flamujt e ditëve të Revolucionit Euromaidan, apo të Dinjitetit, në sheshin “Pavarësia” në Kiev (18-23.2.2014).
Uragani popullor i 100.000 protestuesve, me koston tragjike të 107 të vrarëve dhe qindra të plagosurve, e detyroi Janukoviçin t’ia mbathte për në Rusi. U rivendos atëherë Kushtetuta që ish në fuqi në vitet 2004 -2010. U shfuqizua ligji për gjuhët rajonale e u dekretua ligji për ukrainishten si gjuha e vetme shtetërore, në të gjitha nivelet administrative. U shkatërruan monumentet e Leninit dhe u zëvendësuan me ato të T.Shevçenkos. Në 2014-n u festua 200 –vjetori i lindjes i T.Shevçenkos. Atë vit bandat ruse sulmuan ukrainasit [që e përkujtuan poetin e madh] në Donetsk e në Sevastopol. Ndërsa në Novi Sad (Serbi), te monumenti i Shevçenkos, ishte vendosur shkronja Z, simboli i agresionit barbar të pushtuesve rusë në Ukrainë.
Por në Kiev një monument i lartë 20,4 m. është vendosur në parkun pranë Universitetit “Taras Shevçenko”. Muzeu Nacional, Teatri Kombëtar dhe metroja mbajnë emrin e tij. Rrugë, sheshe e shkolla, në të gjithë Ukrainën, gjithashtu mbajnë emrin e tij. 1060 monumente e objekte të tjera, me emrin e tij, janë në 32 vende të botës, si në Evropë, SHBA, Kanada, Amerikën e Jugut, Australi…Gjatë periudhës sovjetike, pozicioni zyrtar e kërkonte të minimizohej sa më shumë nacionalizmi ukrainas në poezinë e tij e sidomos aspekti social e anticarist i trashëgimisë së tij letrare, si dhe lufta e klasës në ish perandorinë sovjetike.
Figura emblematike e Taras Shevçenkos shënon zgjimin kombëtar në historinë e Ukrainës. Ati i letërsisë moderne ukrainase. Krijuesi i gjuhës letrare ukrainase. Poet, prozator, piktor, etnograf, restaurator. Ai shprehej:”Në thellësi të çdo ukrainasi pulson shpirti kozak”. Ka shkruar 237 poezi. Në art e kulturë jepet çmimi kombëtar “Shevçenko”.
Mësoi pikturën nga dy piktorë anonimë. Për disa kohë iu dha si nxënës e si shërbëtor piktorit Ivan Soshenko në Petërburg. Mjeshtri i dha Shevçenkos, jo vetëm artin, por edhe lirinë. Më 1830 kompozoi “Aleksandri i Madh tregon besimin për mjekun Filip”. U pranua student në Akademinë e Arteve dhe u aftësua më tej në laboratorin e prof. Brjulovit. Fitoi 3 herë medaljen e argjentë. Për pikturën e peizazhit në provimin vjetor. Për pikturën e parë në vaj “Lypësi që i jep bukën një qeni”(1840). Dhe për pikturën “Falltarja cigane”(1841).
Më 1841 shkroi poemën epike “Hajdamaky”. Në romanin “Artisti” përshkroi periudhën para akademike si piktor. Ndërsa rrinte në Petërburg, bëri 3 udhëtime në Ukrainë, në vitet 1843, 1845 e 1846. Gjendja e rëndë e popullit ukrainas pati një impakt të thellë mbi poetin- piktor. I tronditur nga shtypja cariste dhe nga shkatërrimi i vazhdueshëm i territorit ukrainas, më 1844 vendosi të përmbledhë disa nga monumentet historike e kulturore të Ukrainës në një album me gravura (gdhendje, skalitje), të regjistruara me titullin “Ukraina piktoreske”.
Më 1845-n realizoi një album me akuarele të vendeve historike, si dhe vizatime me laps. Më 22 mars 1845 Konsili i Akademisë së Arteve i dha titullin “Artist”.
Krijoi 835 vepra arti origjinale: portrete, kompozime mbi tema mitologjike, historike, familjare, si dhe peizazhe. Piktura në vaj, akuarel e laps plumbi; skica dhe etyde. Talent unik në letërsi e në pikturë, por iu kushtua më tepër poezisë. U shpjegua:”E dija fort mirë se vetëm piktura mund të ish për mua një profesion me fitime, por nisa të shkruaj vjersha të dhimbshme për vendin tim, të cilat më vonë do të binin si një barrë e rëndë në shpirtin tim e do të më kushtonin lirinë e fituar me aq mundim. Po ç’mund të bëja”? Në atelienë luksoze të të pavdeksmit Brjulov ëndërroja stepën time të dashur, Dnieprin plak, Ukrainën time:”Mendimet e mia- mjerë ju! Zemra e tronditur përpëlitet”.
Me 5.10.1847 u dënua politikisht për nxitjen e hapur të pavarësisë së Ukrainës, si dhe për shkrimin e poezive shumë të bukura, në gjuhën ukrainase, ku kish tallur pjesëtarë të Oborrit perandorak rus. Kish përdorur satirën për të denoncuar tiraninë. Poezitë e tij u përfshinë në përmbledhjen “Tre vjet”. Nikollai I indinjohej nga vargjet e tij, që e krahasonin Ukrainën me Prometeun, i cili provoi ndëshkimin e rëndë të Zeusit. Poezitë e tij “Ëndrra”, “Kaukazi”, “Letra” e “Biri” bënin thirrje për kryengritje revolucionare. Poezinë kish nisur ta shkruante që kur ishte skllav. U internua në fortesën “Orska”,pranë garnizonit të Orenburgut në vitet 1847- 1857, nën survejim të rreptë, ku nuk i lejohej të shkruante e të pikturonte, por ai vijoi në fshhtësi.
Shkroi:”I dëbuar larg e në vetmi,|Vitet ikin kot e pa liri”(“Pa liri”). “Lart në mal kujtoj Ukrainën”:”Malit lart ngjitem,|Të shoh tej, në mjegull,|Ukrainën.|Tmerr, kur e kujtoj.|O vend i dashur, fati im”! Por ish i bindur që ukrainasit mund të çliroheshin nga zgjedha e huaj, falë forcës së lindur të rrënjëve kozake. Poezia e tij ka kontribuar në rritjen e ndërgjegjes kombëtare ukrainase, ndikim që vijon sot e gjithë kohën. Ishte përmbledhja e parë në vargje “Kobzari”(Bardi) me 8 poezi në formën e baladave romantike e me një parathënie në vargje, që kish provokuar një tërmet social. Para tij askush nuk kish folur për lirinë dhe revoltën e një Dniepri të skuqur me gjak dhe për ringjalljen e historisë së lavdishme kozake të Ivan Pidkovit.
Te “Kobzari” i kthehej traditës së kozakëve, që i rrëfenin historitë e tyre me ndihmën e instrumentit muzikor që quhej “kobza”,një lloj lahute. Me “Kobzarin” lindi zyrtarisht gjuha ukrainase. T.Shevçenko arriti ta ngrejë gjuhën e popullit të tij në rolin e një gjuhe poetike. Deri në atë kohë ukrainishtja konsiderohej (etiketohej) nga rusët si “nëngjuhë”, si një idiomë fshatare, a e folur provinciale. Ish shkruar edhe më parë gjuha ukrainase, por ish mbytur nga kultura ruse, pasi Ukraina cilësohej si “Rusia e vogël”. Ivan Franko, poeti i famshëm, pasardhës i Shevçenkos, ka shkruar:”Kobzari” –një botë e re poezie. Gurgullon si një burim me ujë të kulluar e të ftohtë dhe vezullon me një qartësi, gjerësi dhe elegancë të shprehjes artistike, të panjohur më parë”.
Poezia e tij mjaft e njohur “Testamenti”(1845) u përkthye në 150 gjuhë dhe u muzikua nga H.Hlladky. Po sjell ca vargje të përkthyera nga J.Bllaci:”Kur të vdes, të më mbuloni,|Te ndonjë kodrinë,|Që ta shoh gjthnjë, vëllezër,|Mëmën Ukrainë.|Të vështroj me gaz në zemër|Fushën pa kufi.|Të vështroj si derdhet Dniepri,|Si buçet ai;|Si vrapon mes Ukrainës,|Drejt e për në det.|Kur të më mbuloni mua,|Prangat flakini!|Derdheni në shesh të luftës|Gjakun për liri|Dhe në familjen e madhe ,|Të re e të lirë,|Ma kujtoni fjalën time,|Të urtë e të mirë”. Vargjet e tij frymëzuese ringjallin vetëdijën për historinë e vjetër e të lavdishme:”Robëria është e tmerrshme.|Të flesh në liri –më e tmerrshme.|Të jetosh pa lënë gjurmë,|Vdekja e jeta janë një atëherë”.
Vargjet e tij të bëjnë të kuptosh se ç’janë në gjendje të bëjnë ukrainasit në çdo kohë, kundër tiranëve dhe aventurierëve shpirtzinj politikë.
Vargjet e tij, edhe kur nuk rimojnë, janë plot patos e ritëm, që profetizojnë lirinë nga një mentor shpirtëror popullor. Veprat e tij gëzojnë një admirim e popullaritet të jashtëzakonshëm. Më 1860 iu dha titulli “akademik” nga Akademia Perandorake e Arteve, për përmbajtjen, formën e përsosur artistike dhe vlerat morale. Vdiq dhe u varros në Peterburg më 10 mars 1861. U zhvarros nga miqtë e tij dhe u rivarros, sipas amanetit që la në poezi, në Kodrën e Murgut (Kodra “Taras”- më vonë), pranë Dnieprit e afër Kanivit. I pari që e përktheu në shqip Shevçenkon, ishte Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), një ndër krijuesit e prozës moderne shqipe, përkrah Migjenit e Koliqit.U ndodh në Ukrainë, si i dënuar për veprimtarinë ekonomike, në dëm të ekspansionit nazist.
Përmes një analize plot lirizëm, Kuteli zbulon në vargjet e Shevçenkos se sa thellë është rrënjosur ndjenja e luftës për liri e pavarësi te ukrainasit. Ai shprehet:”Meqenëse tingulli sllav nuk ish as i huaj, as i ri për veshin tim, nuk vonova për t’i shijuar përmbajtjen dhe bukurinë poezive të tij. Më pëlqente fort ritmi i tij i plotë, muzikal, me përsëritje sugjestive e sidomos metrika e tij specifike, me alternimet 6 e 8 rrokje, kaq e aftë për të shprehur tallazet e dhembjes. E pikërisht Dhembjen këndon poeti T.Shevçenko. Nuk shkoi shumë e nisa ta mësoj përmendsh. Kësilloj nisa të bisedoj e të lëçit në gjuhën ukrainase. Fillova ta njoh e ta dua poetin e madh të Ukrainës dhe një nga më të mëdhenjtë këngëtarë të shpirtit sllav.
Kur ndjehesha fort i mjeruar, vjershat e tij, ku këndohet dashuria e vendlindjes me një idhulltari të pashoqe; ujrat e lumenjve, të skuqur me gjak luftrash dhe vuajtjet e një populli të skllavëruar, më ndiznin një llambadhe drite në shpirt. “Testamenti”- një këngë e rëndë, madhështore, që mbledh gjithë dhembjet dhe mallet e stepës së gjerë. Kaq mall e nostalgji nuk di të përmbajë ndonjë këngë e një tjetër populli. Muzika e saj më turbulloi tepër. T.Shevçenko nuk ish një artist i thjeshtë, me fytyrë kontemplative, egoiste, por një shpirt vigan e heroik, i cili, jo vetëm që ndiente thellësisht vuajtjet e një populli të skllavëruar, por dhe deshi t’i shprehë botërisht këto dhembje. Ca më fort ai dëshironte këputjen e zinxhirëve të robërisë politike dhe ekonomike ruse.
Këto të gjitha nuk mund të shpreheshin e të merrnin zë nëpërmjet artit kontemplativ të pikturës. Ato lypnin një shprehje dinamike, tingëllonjëse, që vetëm poezia mund ta jepte. E pikërisht poezisë iu kushtua me mish e me shpirt ish skllavi. Në poezinë e tij shfaqet një gjuhë e ëmbël, si e askujt më parë. Një stil i thjeshtë e turbullonjës si në këngët popullore. Fjala e tij ish pasqyra e shpirtit dhe e dhimbjeve të atdheut. Shevçenko qante e këndonte. Këndonte bukuritë e rralla të vendit të vet, trimëritë dhe lavdinë e popullit ukrainas, lirinë që kish mbretëruar dikur. Por qante për vuajtjet e kombit të robëruar:”Gjersa të mos shoh që kombi im është i lirë, nuk njoh as perëndi”. Edhe në këto ditë tragjike të masakrave ruse, vargjet e tij ndezin ndjenjat e fuqishme patriotike.
Këngëtari i famshëm italian në muzikën e lehtë, por edhe në muzikën lirike, Albano Carrisi, me këngën “Saranda” ka dhënë një mesazh të qartë e të fortë kundër çdo lloj lufte pushtuese, agresive:”Saranda in Abania.|Me ne parlo’ mio padre.|Tornava sulla via|Della sua gioventu’.|Mi hanno mandato in guerra,|Contro la brava gente.|L’uomo come bersaglio.|Non lo farei mai piu’.|Mi raccontava,|Mentre piangeva un po’’. Al Bano, tashmë me nënshtetësi shqiptare që nga viti 2016, tregon:”Im atë Carmello më ka thënë se nuk kish vrarë njeri e se shqiptarëve u detyronte jetën e tij.
Ai na transmetoi dashurinë e madhe për Shqipërinë e shqiptarët. Për gjithë jetën”. Albano Carrisi u shpreh: ”Ajo që po ndodh sot në Ukrainë, është një tragjedi e madhe”. Por Ukraina do të fitojë.
Shpëtim KODRA – Studiues Letërsie