Dy të plagosur është bilanci i një sherri mes disa të rinjve të cilët u konfliktuan në mes të rrugës për motive të dobëta. Burime zyrtare të policisë sqarojnë se ngjarja ndodhi në Divjakë ku në konflikt u përfshinë 8 persona. Ata udhëtonin në dy makina, kur për shkaqe të paqarta, në fshatin Mëhallëz, kanë ndaluar automjetet dhe janë konfliktuar me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të forta (leva) dhe mjet prerës.
Si pasojë e konfliktit, dy prej tyre, Mirsad Sakajeva 35 vjeç dhe Aristotel Derka 28vjeç, janë dëmtuar dhe aktualisht ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë ata policia i akuzon për vrasje të mbetur në tentativë dhe për plagosje të rëndë me dashje.
Në njoftimin për mediat, policia tha po ashtu se “për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, për 5 shtetas të tjerë (pasagjerë në automjetet tip “Audi” dhe “Benz”, konkretisht: T. K., 26 vjeç, banues në Babunjë, Q. H., 20 vjeç, R. Sh., 24 vjeç, të dy banues në Gungas, R. Ç., 18 vjeç dhe D. D., 18 vjeç, të dy banues në Muçias, Divjakë, pasi janë përfshirë në konflikt. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi F. C., 28 vjeç, banues në Muçias, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.





