Dy persona janë arrestuar nga policia pasi në një subjekt minerar iu gjetën 276 kg lëndë plasëse dhe 290 kapsolla detonare elektrike.

U arrestuan administratori dhe drejtuesi teknik i subjektit për nxjerrjen e minerareve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme, kanë ushtruar kontroll në një subjekt minerar në vendin e quajtur “Kepenek”.

“Gjatë kontrollit në ambientet e këtij subjekti minerar, shërbimet e Policisë kanë gjetur 276 kilogramë lëndë plasëse dhe 290 kapsolla detonatore elektrike që mbaheshin jashtë rregullave të përcaktuara për mbajtjen e tyre. 

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, shtetasit:

-Xhuljaj Krypi, 32 vjeç, administrator i subjektit për nxjerrjen e minerareve dhe Dhimiter Palla, 56 vjeç, drejtues teknik i këtij subjekti,” njoftoi policia.

Strukturat e DVP Kukës do të vijojnë kontrollet për të verifikuar pajisjen me licencë të subjekteve të tjera që ushtrojnë këtë aktivitet, si dhe zbatimin e rregullave të përcaktuara për mbajtjen e lëndëve plasëse, djegëse dhe radioaktive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.