Dy vëllezër nga Tirana janë arrestuar nga policia në Pogradec pasi u kapën duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës nga pika kufitare e Qafë Plloçës.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Midnight 6” u arrestuan në flagrancë shtetasit Enea Prendi, 33 vjeç dhe Aleksandër Prendi, 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në Laprakë, Tiranë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për 2 shtetas që do të transportonin emigrantë, për të kaluar kufirin ilegalisht, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në Qafë Plloçë, bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e automjeteve tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin E. P. dhe tip “BMW” me drejtues shtetasin A. P.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues 33-vjeçarin, u gjetën 13 emigrantë nga vendet e treta, të cilët ky shtetas do t’i transportonte drejt BE-së, kundrejt fitimit. Pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se shtetasi E. P. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.
Nga hetimet e kryera, rezultoi se vëllai i 33-vjeçarit, shtetasi A. P. shoqëronte me automjetin tip “BMË”, automjetin që transportonte emigrantët, për të sinjalizuar shtetasin E. P., për prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë,” njoftoi policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.





