Shtrenjtimi i çmimeve te produktet e shportës ushqimore dhe emigracioni i popullsisë vijojnë të ulin konsumin. Sipas kompanive ambalazhuese, në janar 2023, konsumi i vajit të lulediellit është në rënie, i ndikuar nga çmimi ende i lartë dhe mbiprodhimi i vajit të ullirit. Edhe për mishin dhe nënproduktet e tij vazhdon rënia e shitjeve.
Kompanitë përpunuese të mishit shtojnë se reduktimi i fuqisë blerëse ka ardhur nga çmimet e larta për shkak të kostove dhe emigracionit. Në tërësi, çmimet e nënprodukteve të mishit në vitin e kaluar, sipas kompanive, u rritën 15% krahasuar me vitin 2021.
Rritja e çmimeve ka ulur konsumin e djathit deri në 25% dhe për produktet e qumështit, ndërsa kërkesa për kos dhe qumësht është reduktuar 15%, sipas Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit. Industria vuan edhe shtimin e produkteve të bulmetit nga rajoni me çmim më të lirë.
Baret dhe restorantet është sektori tjetër që vazhdon të goditet nga rënia e konsumit. Shoqata e Bareve dhe Restoranteve përsërit shqetësimin se rënia e fuqisë konsumatore vjen nga shtrenjtimi i mallrave të shportës ushqimore dhe largimet në emigracion.
Në Shqipëri, çmimet e ushqimeve afrohen me mesataren e Europës.
Eurostat përllogariti se çmimet e artikujve ushqimorë në Shqipëri ishin sa 83,4% e mesatares së BE-së dhe gjithashtu, niveli më i lartë në rajon.
Ushqimet rëndojnë më shumë në Shqipëri se kudo tjetër për shkak të peshës së lartë që ato zënë në buxhetin e një familjeje.
Sipas Eurostat, 42% e shpenzimeve të përgjithshme mujore të shportës së mallrave shkojnë për blerjen e ushqimeve, niveli më i lartë në rajon (në shtetet e tjera arrin maksimumi në 35% në Kosovë) dhe BE (ku vetëm 13% e shpenzimeve totale shkojnë për ushqime). Gjithashtu, Shqipëria është më e shtrenjta në rajon edhe për veshjet, ku çmimet e tyre i afrohen mesatares së BE-së.
Çmimi i bukës nuk ka ndryshuar, por zbrazja e rretheve nga emigracioni apo edhe migrimi drejt kryeqytetit ka ndikuar së tepërmi te tkurrja e konsumit.
Për produktet joushqimore siç janë mobiliet, çmimet e larta të orendive të importit kanë shtuar kërkesën për prodhimin vendas. Mobilieritë kryesore në vend pohuan se shumë blerës kanë hequr dorë nga mobilimet italiane, për shkak të çmimeve të larta. Kërkesa për mobilie vazhdon të nxitet nga ndërtimet e reja.Prodhuesit vendas të mallrave të konsumit rekomandojnë që shteti të ndërhyjë në reduktimin e TVSH-së për produktet e shportës dhe të nisë procedurat për certifikimin e produkteve shtazore, me qëllim gjetjen e tregjeve të reja për eksport, pasi rënia e fuqisë blerëse rrezikon falimentimin e fabrikave.
Shqipëria gjithashtu po vuan mungesën e lartë të fuqisë punëtore të kualifikuar, për shkak të emigracionit. Ata që kanë mbetur, janë të pakualifikuar.
Marrja e punonjësve nga Bangladeshi ka dështuar, pasi të huajt largohen drejt Europës pas disa muajve. Shumë sipërmarrës, në vështirësi për gjetjen e burimeve njerëzore, po eksperimentojnë me punonjës nga Egjipti.
Të tjera kompani, në pamundësi për të gjetur punëtorë, kanë reduktuar prodhimin. Shoqatat e biznesit bëjnë thirrje për zgjidhjen e problematikës së mprehtë me fuqinë punëtore, nëpërmjet hartimit të një plani kombëtar nga qeveria.
Ulet konsumi i bukës në rrethe nga emigracioni
Importet për grupin e drithërave ranë 25% në vitin 2022 krahasuar me një vit më parë. Pesha neto e drithërave në vitin 2022 është më e ulëta e shënuar në 14 vitet e fundit (nga viti 2008).
Prodhuesit e bukës pohojnë se ecuria e konsumit në Tiranë është në normalitet, ndërsa në rrethe, me rënie. Largimi i popullsisë në emigracion ka ndikuar te konsumi i bukës në rrethe. “Largimi i popullatës po ndihet nga furrat e bukës në rrethe te niveli i xhiros, që shfaqet me rënie.
Në Tiranë, konsumi nuk ka pësuar ndryshime, pasi fluksi i të larguarve dhe të ardhurve ndryshon në raport me rrethet. Në stinën e verës, largimi i banorëve të kryeqytetit drejt zonave bregdetare, kompensohet me të ardhurit nga emigracioni”, pohoi kryetari i Shoqatës së Bukës,
Pastiçerisë dhe Brumërave, z. Gëzim Peshkopia. Çmimi i bukës ka mbetur i pandryshuar nga muaji shtator 2021. Në këtë periudhë, çmimi i bukës masive u rrit 10 lekë, duke arritur në 100 lekë nga rritja e çmimit të miellit në tregun vendas.
Sipas rishikimit vjetor të numrit të popullsisë nga INSTAT, nga viti 2011-2022 janë larguar në emigracion 7,5% e popullsisë, ose 213,748 persona. I vetmi qytet që shënon rritje demografike, është Tirana.
Disa qytete të tjera që kanë ruajtur një nivel stabël të popullatës, siç është Durrësi dhe pastaj janë ato qytetet që kanë pasur shpopullim masiv, siç është Kukësi.
Çmimi i lartë dhe mbiprodhimi i ullirit, ul kërkesën për vajin e lulediellit
Edhe importuesit e vajit të lulediellit janë në vështirësi nga rënia e konsumit. Importet e grupit “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” në vitin 2022 ranë 6,5% krahasuar me 2021, sipas INSTAT.
Përfaqësues të kompanisë “Erbiron”, që importojnë vajin e ambalazhuar hungarez “Floriol”, thonë se arsyeja kryesore e rënies së konsumit është ende çmimi i lartë i produktit.
Prej muajit korrik të 2022, çmimi i vajit të lulediellit nga importi është me rënie, për shkak të marrëveshjes Rusi-Ukrainë të nënshkruar në Turqi, për hapjen e eksporteve të drithërave dhe vajit të lulediellit të bllokuar në portet e Ukrainës pranë Detit të Zi.
Importuesit shqiptarë vijojnë të furnizohen nga Bullgaria, Ukraina dhe Hungaria me vaj luledielli, që ambalazhohet më pas në fabrikat vendase.
Çmimi i vajit të lulediellit në dyqanet ushqimore po tregtohet me çmim minimal nga 250 lekë deri në 300 lekë për litër që arrin çmimi maksimal.
Çmimi aktual është 20 deri në 34% më pak se çmimi pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, periudhë kur shënoi rritje të fortë.
Pas fillimit të luftës, në tregun e shitjes me pakicë, vaji i lulediellit shënoi rritjen më të lartë të çmimit në produktet e shportës ushqimore. Në muajin mars, çmimi i vajit të lulediellit u tregtua 330 lekë për litër nga 249 lekë për litër në muajin shkurt (32,5% rritje).
Pas kësaj periudhe, çmimi u rrit edhe rreth 9% dhe arriti 370 lekë për litër, ndërsa në mesin e muajit prill, çmimi i vajit arriti pikun. Nga dyqanet e pakicës dhe supermarketet, vaji u tregtua 400 lekë për litër.
Ylli Aliaj, nga kompania e ambalazhimit të vajit “Bomira”, pohon se në muajin janar 2023, konsumi i vajit të lulediellit ishte në rënie, i ndikuar nga shtimi i konsumit të vajit të ullirit për shkak të mbiprodhimit”.
Kompania nuk parashikon rritje të konsumit të vajit të lulediellit, për shkak të emigracionit në rritje. “Parashikojmë ndryshime të kërkesës nga muaji prill, kur fillon ardhja e turistëve, por pavarësisht kësaj, edhe për 2023 konsumi vjetor pritet të jetë me rënie krahasuar me 2022, për shkak të vazhdimit të emigracionit”, nënvizon Aliaj.
Në vitin 2021, sipas të dhënave të INSTAT, peshën kryesore për grupin e mallrave “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” e zinin ato nga Rusia me 17%, e ndjekur nga importet e Hungarisë, me 15% dhe Ukrainës, me 13% të totalit të importeve. Pjesa tjetër e vajit importohej nga Italia dhe Maqedonia e Veriut.
Pse ka rënë konsumi për mishin dhe sallamin?
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, importet për grupin “Mish dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit” ranë 4,5% në raport me 2021.
Operatorët e përpunimit të mishit ngrenë shqetësim për rënie të konsumit të produktit të mishit dhe nënprodukteve, si: sallam, proshutë apo salsiçe.
Nikolla Tona, administratori i fabrikës së përpunimit të mishit “Tona”, pohoi për “Monitor” se faktorët kryesorë që kanë ndikuar te rënia e konsumit janë shtrenjtimi i çmimeve dhe emigrimi, kryesisht i të rinjve. “Rënia e fuqisë blerëse ka nisur nga fillimi i vitit të kaluar.
Së pari kjo është ndikuar nga rritja e çmimeve. Për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para, çmimet e industrisë për nënproduktet e mishit janë rritur mesatarisht 15% në vitin 2022 në krahasim me vitin paraardhës.
Së dyti, faktor që po ndikon te rënia e konsumit është largimi i të rinjve në emigracion. Brezi i ri është konsumatori më i lartë i këtyre produkteve, nuk janë të moshuarit”.
Për shkak të kësaj situate, Nikolla Tona përsërit kërkesat ndaj shtetit shqiptar, si ulja e TVSH tek ushqimet e shportës ushqimore, heqja e taksës doganore të importit të mishit dhe ngritja e një sistemi nga shteti për certifikimin e produkteve shtazore, me qëllim eksportin e tyre drejt Europës, pasi tkurrja e konsumit në tregun e brendshëm mund të rrezikojë falimentimin e fabrikave.
“Është e nevojshme që institucionet të ndërhyjnë me masa fiskale, si heqjen e TVSH-së te produktet e shportës, apo reduktimin e saj deri në nivelin 8 apo 9%.
Duhet të zgjidhet problematika me taksën doganore tek importi i mishit. Është absurde që produktet e përpunuara të mishit të importohen me zero taksë doganore, ndërsa mishi nga jashtë të ngarkohet me taksë doganore 10% plus 20% TVSH.
Automatikisht, taksa doganore ngarkon kostot e përpunuesve, që më pas shtojnë çmimet. Edhe në këtë drejtim është e domosdoshme të ndërhyhet.
Masë tjetër lehtësuese ndaj bizneseve do të ishte ngritja e sistemit të produkteve të certifikuara shtazore. Për shkak të kësaj pengese, kompanitë nuk eksportojnë në Europë, vetëm në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kompanitë, nga ana e tyre, kanë përfunduar investimet për certifikimin e produkteve dhe shteti duhet të ngrejë sistemin e certifikimit për njohjen për eksport në vendet europiane.
Eksportet drejt disa shteteve të rajonit janë në sasi të ulëta, pasi edhe pas zbatimit të nismës “Open Balkan”, nuk arrijmë të konkurrojmë fqinjët nga kostot e larta prodhuese”, nënvizon ai.
Çmimet e larta të bulmetit ulin fuqinë blerëse deri në 25%, nxitet importi
Çmimet e larta të bulmetit nga shtrenjtimi i lëndës së parë, qumështit të freskët, më tepër se rajoni dhe Europa, prania më e madhe e mallrave të importit me çmim më të lirë, pasi ka më shumë subvencione dhe politika mbështetëse ndaj fermerëve, çmimi më i mirë i energjisë elektrike, gazit, naftës, si dhe emigracioni po japin efekte te konsumi.
Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit tha për “Monitor” se për këto arsye, konsumi i djathit shfaqet me rënie 25%, ndërsa për produktet qumësht dhe kos, kërkesa është reduktuar 15%.
Fabrikat e përpunimit të qumështit thonë se faktorët kryesorë të uljes së konsumit mbeten çmimet e larta dhe rënia e fuqisë blerëse nga emigracioni.
Rritja e kostove prodhuese, veçanërisht shtrenjtimi i lartë i çmimit të qumështit nga blegtorët ndikoi te rritja e çmimeve deri në 40% vitin e kaluar.
Por a pritet të ketë rritje të çmimeve të produkteve të bulmetit në fillim të sezonit të ri në muajin mars, ku do të përfshihet qumështi i prodhuar nga të imëtat?
“Rënia e konsumit pritej për shkak të çmimeve të larta. Rënia rrezikon të thellohet, pasi pa nisur sezoni i ri ka rritje galopante me 50% të çmimit për qumështin e dhisë dhe deles.
Çmimet e ndryshuara të produkteve të qumështit të dhisë dhe deles kanë pasur si rritje vetëm kostot administrative, lënda e parë nuk është pasqyruar”, pohoi një nga fabrikat përpunuese të qumështit.
Taulant Pupa, administrator i fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001”, në fshatin Nizhavec të Pogradecit, pohoi se faktori kryesor që ka ndikuar te rënia e konsumit është reduktimi i fuqisë blerëse nga largimi i të rinjve në emigracion.
Z. Pupa shton se qumështi i lopës po shitet nga fermerët mbi 80 lekë për litër deri në 140-160 lekë për litër që ka arritur qumështi i deles. “Nuk dihet ende nëse blegtorët do të dalin me çmime të reja në sezonin e ri, por çmimet e larta të shitjes së qumështit po nxisin fermerët të shtojnë prodhimin”.
Ai shton se konsumatori nuk do ta përballonte dot një ndryshim tjetër të çmimeve dhe do të rrezikonte mbijetesën e kompanive të vogla të përpunimit të qumështit.
Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit tha më herët për “Monitor” se deri tani, barrën më të lartë të rritjes së kostos e kanë mbajtur kompanitë, por nuk dihet edhe sa do të zgjasë kjo situatë.
“Kostot e sektorit janë shumë të larta dhe për disa operatorë edhe të papërballueshme. Deri në këto momente, është bërë një sakrificë e madhe nga sektori i përpunimit të qumështit për të pasur çmime sa më të përballueshme për konsumatorin shqiptar.
Pra kompanitë kanë mbajtur barrën më të madhe të rritjes së kostove operative dhe çmimit të qumështit nga fermerët, por nuk dihet sa kohë mund të vazhdohet të bëhet një gjë e tillë.
Nëse nuk do të luftohet informaliteti, nuk do të rritet subvencionimi ndaj blegtorëve, nëse nuk do të ketë ulje të kostove operative (energji elektrike, naftë, gaz, materiale paketuese), nëse nuk do të ketë lehtësi fiskale (TVSH 6% në shitje), nuk do të ketë masa dhe politika që mbrojnë prodhimin dhe produktin vendas, atëherë secila kompani do të bëjë analizat e thelluara dhe llogaritjet e veta, për të parë nëse mbijeton dot në këtë sektor apo jo, nëse i duhet të operojë me çmime të reja, apo jo, nëse mund të gjejë zgjidhje të tjera apo jo”.
Sapunët, detergjentët vijon rënia e importit
Te grupi “Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë” tendenca rënëse e importeve vijoi gjatë vitit 2022. Importet për këtë grup ranë 9,5% në raport me vitin paraardhës.
Më herët për “Monitor”, prodhuesit e detergjentëve pohuan se në 2022, kërkesa për pluhura larës ishte 20% më pak se në vitin 2021.
“Edhe pse çmimet e produkteve larëse janë rritur 10 deri në 20% më shumë nga shtrenjtimi i kostove, efekti te kërkesa nuk është dhënë prej tyre, pasi në treg shiten produkte me larmi çmimesh nga ato më të shtrenjtat deri te më të lirat.
Rritja e çmimeve nuk ka ndikuar te përdorimi apo mospërdorimi i tyre. Arsyeja kryesore e rënies së kërkesës është largimi masiv i popullsisë”, pohoi më herët për “Monitor” një nga prodhuesit vendas të detergjentëve.
Shumë pluhur larës të markave të ndryshme prodhohen në vend, ndërsa nga jashtë importohet lënda e parë. Për shkak të rënies së kërkesës, kompanitë prodhuese vendase kanë ulur importet e lëndëve të para për detergjentët.
Ndërsa sapunët larës vijnë nga importi. Kërkesa për sapun, siç shpjeguan operatorët vendas, nuk ndikohet nga çmimi apo largimet e popullsisë, por vetëm nga tendenca e produktit të lëngshëm dhe atë të ngurtë.
Baret dhe restorantet vazhdojnë me konsum të reduktuar
Konsumi vijon të jetë me rënie te baret dhe restorantet, për shkak të pasigurisë së çmimeve për produktet e shportës ushqimore dhe vijimit të luftës Rusi-Ukrainë pohojnë përfaqësues së Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2022, në sasi, importet e grupit të mallrave “Kafe, çaj dhe erëza” u ulën 13% krahasuar me 2021.
Bizneset e bareve dhe restoranteve shprehen pesimistë për ecurinë e konsumit për shkak të rënies së fuqisë blerëse nga çmimet e larta.
“Pritet të ketë përmirësim të vogël të konsumit, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, por rritja do të jetë e papërfillshme, krahasuar me numrin e lartë të të rinjve që janë larguar në emigracion.
Fuqia tjetër blerëse do të vazhdojë të ndihet e pasigurt për të rritur shpenzimet, për shkak të luftës Rusi – Ukrainë që nuk po bën të mundur ndjekjen e logjikës së tregut për çmimet.
Importuesit kanë paralajmëruar se çmimet e importit për kafe apo produkte të tjera do shtrenjtohen 7 deri 8% nga muaji mars, të cilat do të ndikojnë te konsumi, pasi baret dhe restorantet do të jenë të detyruar të rrisin çmimet”, pohojnë drejtues së shoqatës.
Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i përhapur në vend, pas biznesit të pakicës. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.
Rritet kërkesa për mobilie vendase
Rënia e importit të mobilieve ka shtuar kërkesën për prodhimin vendas. Grupi “Mobilieritë, krevat, dyshekët, llambat dhe pajisjet e ndriçimit etj.” janë ulur 5% krahasuar me vitin 2021 sipas të dhënave të INSTAT.
Prodhuesit vendas të mobilieve thonë se është shtuar kërkesa për prodhimin vendas, për shkak të çmimeve më të larta që kanë mobiliet e importit.
“Është rritur kërkesa nga klientë që më parë blinin mobilie italiane. Për shkak të çmimit të lartë të tyre e shohin më të leverdishme të porosisin prodhim vendas.
Kërkesa për mobilie është e nxitur më tepër nga ndërtimi, pra për mobilim të apartamenteve të reja”, nënvizon drejtuesi i “Trin Mobilieri”, Dritan Cacaj.
Edhe Ilir Linza, administratori i kompanisë prodhuese “FPM Tutto Mobili” që tregton mobilie me logon “BestSeller”, pohon se është rritur kërkesa për prodhimin vendas krahasuar me mobiliet e importit.
Sipas tij, në tërësi rritja e çmimeve të mobilieve për shkak të shtrenjtimit të materialeve, si për prodhimin vendas dhe ato të importit ka ndikuar tek ulja e kërkesës.
“Nëse më parë, një blerës me buxhet 500 apo 1,000 euro blinte më shumë orendi, sot për shkak të çmimeve të rritura, blen më pak”./Monitor.al